EKSKLUZIVE: Historia e fotografisë, dhoma e gjumit, dhe vendimet të cilat janë marrë në këtë natë

Shumëherë është diskutuar për fotografinë të cilën e kemi vendosur në ballinë. Në këtë fotografi shihet komandanti legjendar Adem Jashari dhe Hashim Thaçi. Shumë kritik të ish Presidentit Thaçi duke u bazuar në disa lajme të rreme e kishin akuzuar atë për montim të kësaj fotografie. Por, realiteti është krejtësisht ndryshe.

Fotografia është realizuar në fillim të Vitit 1993. Ishte pikërisht Thaçi që kishte treguar detaje të pathëna rreth fotografisë.

“Kjo fotografi është pikërisht nga objekti të cilin në Shqipëri e quanin Hotel Ushtarak, por e di që nuk i ka pasur kriteret e një hoteli fare, është fotografi e përbashkët në dhomën ku flinte komandanti legjendar Adem Jashari, ishte një hapësirë ku qëndrojke garda ushtarake e Shqipërisë, dhe kapela ime është pikërisht kapela e gardës, por kemi pasur edhe armatim aty, dhe kjo fotografi është në fillim të vitit 1993, dhe ka edhe të tjera ku janë; Kadri Veseli, Jakup Nura dhe disa bashkëluftëtarë të tjerë”.

Më tutje u tregua se pikërisht ajo natë ishte një nga netët e rëndësishme për organizimin ushtarak. “këtu ishte momenti, në këtë natë, ku kemi vendosur bashkë me komandantin legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tjerë që të ktheheshim në Kosovë, sepse unë jam rritur edhe në familjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe tek shumë familje në Prekaz, edhe tek Sami Lushtaku, edhe pse isha më i ri por kam pasur shpirtin e iniciativën e veprimeve konkrete kundër policisë serbe”.