Në mbrëmjen e së shtunës, një person i maskuar hyri brenda shtëpisë së familjes Babatinca në Podujevë.
Aty dyshohet të ketë marrë stoli ari dhe 5 mijë euro para të gatshme. Në këtë kohë askush nuk ishte në shtëpi pasi që gjithë familja kishin shkuar në një aheng familjar.
“Kanë marrë arin e nuses, arin e vajzës, i kanë marrë edhe tri orë të vlefshme. Njëra e djalit që e kam në Zvicër, një tjetër që ma kanë bërë dhuratë për ditëlindje. Këto së paku dihen për momentin pasi ende nuk kemi parë në detaje ato që na mungojnë. Kanë marrë të holla në vlerë rreth pesë mijë euro”, deklaroi për Klan Kosovën pronari i shtëpisë Xhafer Babatinca.
I zoti i shtëpisë thotë se vlera e arit mund të sillet rreth 12 apo 13 mijë euro.
Për këtë rast u njoftuan edhe organet e rendit, të cilët dolën menjëherë në vendin e ngjarjes ku po vazhdojnë hetimet në lidhje me ngjarjen.
Sipas banorëve, tentimet për vjedhjen e shtëpive në ketë lagje të qytetit të Podujevës nuk janë të rralla.