“Shpesh herë e shihja në kodrat e Leçinës, Izbicës, Vojnikut, Burojës, Turiçefcit… Ia mbaj mend edhe emrin, por nuk do t’ia them këtu. Një djalosh shtatgjatë dhe i heshtur. Kishte ardhur nga një rajon fqinj për t’iu bashkuar luftës në Drenicë.
Shquhej për aksione të veçanta në radhët e UÇK-së. Disa nga ata që e njihnin nuk ngurronin ta shfaqnin habinë e tyre! Nuk ngurronin ta shfaqnin as dyshimin! Arsyeja: djaloshi vinte nga një gjak i kombinuar: babain shqiptar, nënën serbe.
Por, kjo nuk dukej se e pengonte për t’i kryer detyrat e luftës, një për një dhe në kohë të caktuar. Jo që nuk i pengonte, por me gjasë e stimulonte. E motivonte më shumë se neve që kishim gjakun “e pastër”.
Një ditë na erdhi lajmi se kishte rënë heroikisht në një sulm që i ishte bërë shtëpisë së tij. Pasi kishte kryer detyrat e luftës ishte kthyer për t’u shmallë me familjen e tij.
Meqë ishte natë e vonë nuk kishte ngurruar për të ngritur ca gota alkoholi. Ai nuk kishte besuar se ende kishte shqiptarë që bashkëpunonin me armikun. Shqiptarë me gjak të pastër! Prandaj, kishte vazhduar gëzimin i shkujdesur në familjen e tij derisa krejt në befasi forca të mëdha policore i kishin rrethuar shtëpinë. Thirrjes për t’u dorëzuar iu kishte përgjegjur me krismat e pushkës së tij.
Njësoj siç kishte bërë disa muaj më parë komandanti legjendar, Adem Jashari. Edhe epilogu i kësaj beteje ishte i ngjashëm me atë në Prekaz: nëntë familjarë të vrarë bashkë me të. Pjesa më e madhe e familjes së tij kishte mbetur e shuar.
Nuk më kujtohet se kam lexuar ndonjë shkrim për heroin e këtij rrëfimi. Për dëshmorin e UÇK-së që u flijua bashkë me familjen e tij, gruan, fëmijët, babanë, vëllëzërit, nipat. Këto të vërteta duhet të tregohen se na ndihmojnë ta njohim më shumë vetëveten. Nuk ka njohje më të thellë se ajo që bëhet përmes së vërtetës”.