Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përfitojnë qytetarët e dy shteteve.
Gjatë punimeve të Symi Symposium që po mbahet në Greqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.
Mbarëvajtja e procesit të deritanishëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces, ishin tema kryesore të takimit, thuhet në komunikatën e Zyrës së kryeministrit.
Kryeministri Kurti theksoi sërish që Qeveria e Republikës së Kosovës është përherë e gatshme për dialog parimor, të balancuar e konstruktiv. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme e të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. Për këtë, kemi edhe Rezolutën e Parlamentit Evropian, të miratuar pak ditë më parë, ku bëhet thirrje që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazuar në njohje reciproke.
Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Kurti diskutoi në panelin me temë “Implikimet e luftës në Ukrainë: Momentum i ri për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët”. /Periskopi/