Serbia vazhdon të mos heq dorë nga qëndrimet e saj për njohjen e Kosovës.
Edhe pse pritjet në dialog janë që ai të përmbyllet me marrëveshje finale me njohje reciproke, Serbia thotë se nuk do ta njohë Kosovën, raporton Gazeta Blic.
Së fundi Parlamenti Evropian bëri thirrje që Serbia ta njohë Kosovën, por që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq tha se nuk do t’i marrin parasysh rekomandimet e PE-së.
Duke qenë kështu, çfarë mund të pritet nga dialogu, nëse nuk do të ketë njohje të ndërsjellë?
Analisti politik Gazmir Raci, ka thënë se Serbisë i është bërë e qartë njohja edhe nga kancelari gjerman.
“Kancelari gjerman e ka bërë shumë të qartë çështjen e njohjes së ndërsjellë, andaj integrimi evropian i Serbisë tash kalon përmes njohjes që duhet t’ia bëjë Kosovës”, thotë ai.
Raci për Gazeta Blic thekson, se edhe PE e ka cekur se se Serbia duhet t’i zgjidh në rrugën e negociatave për anëtarësim të gjitha problemet e hapura me Kosovën.
“Serbia në kuadër të kapitullit 35 duhet të gjitha problemet e hapura që i ka me Kosovën duhet t’i zgjidh në rrugën e negociatave që i ka për anëtarësim. Edhe Parlamenti Evropian të njëjten gjë e ka thënë”, deklaron analisti Gazmir Raci.