Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se politika e jashtme e vendit është jofunksionale dhe anemike, pavarësisht vizitave të shumta jashtë vendit të krerëve institucional.
Ajo thotë se nuk ka parë asgjë konkrete nga këto vizita, në kuptimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja. Deputetja opozitare adreson kritika edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti për krizën ekonomike, për çka thotë se ka rënie të pëlqyeshmërisë qytetare ndaj tij.
“Me përjashtim të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk kemi parë diçka sa i përket aktivitetit që ka pasur presidentja dhe Qeveria e Kosovës, kryeministri dhe ministrja e Jashtme për të fuqizuar Kosovën dhe politikën e saj të jashtme. Nuk ka asnjë anëtarësim të ri të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, s’ka asnjë lajm të ri nga vizitat që i kanë pasur së fundmi zyrtarë të lartë të shtetit. S’ka rikonfirmim ose njohje të Kosovës nga një shtet. Në përgjithësi po e them, politika e jashtme e Kosovës vazhdon të jetë anemike, vazhdon të mos jetë funksionale në kuptimin që do të duhej që Kosova të kryente këtë kontribut të saj”, ka thënë Deliu-Kodra.
Sipas saj, në bazë të matjeve të fundit të opinionit publik, shihet qartë rënien e pëlqyeshmërisë nga qytetarët të kryeministrit Albin Kurti.
“Ka rënie të pëlqyeshmërisë së kryeministrit në raport me çështjet të cilat ai ka avokuar, të cilat kanë qenë çështjet e zhvillimit ekonomik dhe çështje që prekin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Pra gjendja nuk është e lehtë, kemi jetë të rënduar të qytetarëve, kemi çmime të larta, kemi çmimin e energjisë elektrike i cili do të afektojë qytetarët gjatë stinës së vjeshtës. Kemi një qeveri, përkundër kësaj situate, s’ka asnjë rritje të pagave dhe asnjë mbështetje serioze për qytetarët e Kosovës”, deklaron ajo.
Deliu-Kodra renditi kritikat edhe sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, i cili sipas saj, është rikthyer në dialog teknik.
“Kemi pas së fundmi që kemi rikthim të dialogut në disa prej marrëveshjeve që kanë qenë të pazbatueshme deri tani. Por konform këtyre ne duhet të kemi një përshkallëzim, agjendë më të theksuar të qeverisë sa i përket dialogut. Ju e dini se është parakusht i rëndësishëm, jo vetëm për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe për marrëveshjen finale, njohjen e ndërsjellët dhe për fuqizimin e Kosovës edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, por edhe procese të cilat Kosova tashmë ka shumë nevojë. Konsideroj se duhet të kemi nevojë një vëmendje më të madhe të qeverisë në këtë çështje”, thotë ajo.
Ndërkohë, deputetja u shpreh optimiste se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës mund të ndodhë nën presidencën çeke, gjatë vitit 2022.
“Fjala është vet për kredibilitetin e Bashkimit Evropian si institucion i rëndësishëm dhe lëvizja e lirë është parakusht që ne të rikthejmë dhe fuqizojmë besimin tonë në Bashkimin Evropian. Kosova i ka përmbushur kriteret, pres që të rikonformohet edhen një herë që serioziteti i BE-së në raport me Kosovën të jetë sa më i qartë dhe pres që nën presidencën çeke të kemi lajmin kryesor, i cili është lëvizja e lirë”, përfundoi ajo. /KP