




Problemet me Serbinë, Kosova i ka të pazgjidhura, por kur vjen puna tek shkëmbimi tregtar, gjërat ndryshojnë. Këtij ndryshimi, efektin po ia sheh vetëm Serbia. Brenda 5-mujorit të parë të këtij viti, vetëm nga Serbia për në Kosovë janë importuar mallra me vlerë afërsisht 132 milionë euro.
Vitin e kaluar, nga Serbia për në Kosovë kanë hyrë 261 milionë kilogramë produkte, me vlerë mbi 300 milionë euro.





“Nëse krahasohet viti i kaluar me vitin aktual, në pesë muajt e parë shohim se nga Serbia, vjet kemi importuar 261 milionë kilogramë produkte. Ndërsa këtë vit ka më pak, rreth 8 milionë kilogram mallra. Është ulur sasia e produkteve, por vlera ka shënuar rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të produkteve”, shprehen nga Dogana e Kosovës.





Krahas importit që është shumë i madh, edhe eksporti i Kosovës për në Serbi ka shënuar rritje të vogël. “Brenda pesë muajsh janë eksportuar mallra në vlerë afërsisht 25 milionë euro. Shifra pozitive, Kosova ka shënuar edhe në eksportin e mallrave në raport me shtetet tjera”.
Deri më tani janë eksportuar rreth 354 milionë euro mallra. Ndërsa deri në fund të vitit, sipas Doganës së Kosovës, vlera e eksportit pritet të arrijë vlerën 900 milionë euro.





Serbia i zë vendin Shqipërisë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë Kurti, pasi sipas tyre, dikur i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia e në vitin 2021, Serbia kthehet në vendin e parë me mallra në Kosovë, me rritje prej 76%.





Në një postim në Facebook, Hoti shkruan: “Më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta. Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%. Njëherë e një kohë, disa i rrotullonin kamionët që importonin mallra nga Serbia. Njëherë e një kohë, disa zotoheshin për reciprocitet”, shkruan Hoti.