Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ftuar në një bashkëbisedim me “Balon” në Amsterdam foli dhe për ngërçin që i është krijuar Shqipërisë ndër vite sa i përket hapjes së negociatave.
I pyetur për atë se çfarë po ndodh mes Shqipërisë dhe BE-së, Rama nuk ka kursyer as batutat ndërsa ka theksuar se shqiptarët prisnin të vinte nusja nga Brukseli, por 1 vit, 2 vjet, 3 vjet asnjëherë nuk erdhi.
“Nuk e di por sa herë ka probleme të brendshme flasin një armë këtu një mafie aty, një shqiptar këtu, ca djem që rrisin marihuanë në pjesën jugore të Shqipërisë, apo Roterdamit. Pra është një proces i brendshëm i të mbajturit larg. S’ka të bëjë më me çfarë bëjmë ne. Se BE ka një Komision Europian që paguhet nga fondet e BE, makineria më e madhe burokratike e të gjithë botës, që mbikëqyrin 24 orë çdo vend, dhe pastaj prodhojnë raporte për vendet kandidate për t’ia paraqitur vendeve anëtare dhe më vonë do thonë çfarë duhet bërë”.
Mendoj se duhet të ishin çelur negociatat prej shumë vitesh, mbase vitin e ardhshëm por nuk do humbasim më gjumë për këtë, ne. Mbetëm duke organizuar dasma, dasma të mëdha me muzikë. Prisnim të vinte nusja nga Brukseli, por 1 vit 2 vjet 3 vjet asnjëherë nuk erdhi. Nëse do të vijë të martohet me ne pa muzikë dhe menjëherë në shtrat dhe të bëjmë fëmijë, le të vijë. E them me humor, por imagjinoni veten kur doni të martoheni seriozisht por ajo nuk shfaqet asnjëherë”, tha ai.