




Rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve e ka përkeqësuar situatën për mijëra familje në kushtet e varfërisë në Shqipëri.
Qarku i Gjirokastrës është nga më të prekurit, ku një pjesë e madhe e familjeve me ndihmë ekonomike jetojnë në zonat ku papunësia prej vitesh është e lartë. Institucionet shtetërore të mbrojtjes sociale thonë se 6 muajt e fundit kanë rritur ndihmën për familjet me shumë pjesëtarë.
Tregu i sendeve të përdorura është nga vendet më të populluara të Gjirokastrës, një tregues i varfërisë së qindra familjeve që nuk arrijnë të sigurojnë dot të ardhura për të plotësuar nevojat. Por kohët e fundit rritja e çmimeve të ushqimeve po i shtyn qindra familje në kushte mbijetese.





Në një nga lagjet e Gjirokastrës që quhet “Blloku i furrave”, Pëllumb Kuci, 55 vjeç, thotë se është i papunë dhe e shënon emrin në lista për të marrën bukën e përditshme në një njësi ushqimesh fare pranë banesës.
“Jeta është bërë e vështirë pasi çmimet janë rritur tej mase dhe është e pamundur ta përballosh. Unë aktualisht nuk kam asnjë të ardhur, figuroj i papunë”, thotë ai.
Pëllumbi po përpiqet të gjejë një punë, por është edhe në proces të kërkimit të ndihmës ekonomike në Bashki.