




Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, është nervozuar me pakujdesinë që ka lënë pas ujësjellësi i Prishtinës pas një pune që ka kryer në një rrugë të lagjes “Hajvalia”.
Pacolli tha se këtë rrugë e ka shtruar fondacioni i tij “Behgjet Pacolli” dhe se edhe tash kur po ka dëmtime, përgjegjësinë për riparim po ia lënë atij.





Për këtë ai ka shkruar në Facebook, duke njoftuar se i ka rregulluar sërish pjesët e prishura dhe njëkohësisht ka kërkuar që të jenë më të ndërgjegjshëm në punë.
“Mendoj se të gjithë jemi dakord që është momenti i fundit në të cilin duhet të ndërgjegjësohemi dhe ta kryejmë punën tonë të përditshme me dinjitet dhe përgjegjësi; Kjo nuk ka ndodhur me kompaninë “Ujësjellësi” Pr, e cila vjen, dëmton rrugën duke hapur gropat për nevojat e veta dhe nuk shqetësohet ta rikthejë në kushte të mëparshme”.





Financimin për hapjen, ndërtimin dhe asfaltimin e kësaj rrugë me gjatësi 3.35 km e ka mundësuar Fondacioni “Behgjet Pacolli”.
“Kjo rrugë sot pos trafikut, përdoret edhe si shëtitore kryesore për banorët e Hajvalisë. Asnjë institucion, jo që nuk e vlerësoj këtë punë (mbi 900,000 euro) por edhe nuk e mirëmbajnë duke ia lenë barrën prapë fondacionit tim. Minimumi që është dashur të respektohet që me qëllim mos ta shkatërrojnë atë, ashtu si veproi Ujësjellësi i Prishtinës”, ka shkruar Pacolli.