Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se askush nuk e di datën e saktë se kur do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës po angazhohet në këtë drejtim dhe sipas saj, ka progres.
Mirëpo, për Gërvallën, as ajo vetë, as institucionet e Kosovës e as ndonjë përfaqësues i BE-së, nuk e di datën e liberalizimit të vizave.
“Sot, askush, as institucionet tona, as unë si ministre e Jashtme por as një përfaqësues i BE-së, nuk mund ta thonë datën e saktë se kur mund të ketë lëvizje të lirë. Sot, askush nuk e di, kur do të jetë hapi final dhe kur do të largohen vizat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo në emisionin “dPt te Fidani” në T7, raporton Gazeta Express.
Ajo ka thënë se s’mund të konfirmojë që liberalizmi mund të bëhet realitet në shtator, siç po jepen paralajmërime së fundmi.
“Nuk mund të them se do të ndodh në shtator, do t’ju gënjeja”, ka theksuar ajo.
Gërvalla ka folur edhe për deklaratat e Vuçiq, i cili paralajmëronte liberalizim vizash për Kosovën më 23 qershor.
“Çdo gjë që thotë Vuçiqi në raport me Kosovën, nga opinioni, duhet marr me shumë rezerva dhe prandaj ka ndodhur ajo që është pritur. Detyrë e institucioneve të Kosovës është të punojnë për ditë, që liberalizimi i vizave, me aq sa është brenda mundësive tona, të realizohet sa më shpejt. Detyrë e institucioneve nuk është të merren me thashetheme, por të merren me punët. Kemi biseduar me shumë shtete, kemi punuar në hapa të vegjël dhe të mëdhenj me shtete që kanë shtete skeptike”, ka deklaruar ajo. /GazetaExpress