




Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar ndaj ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, të miratuar nga qeveria aktuale. Madje ajo ka thënë se nuk i pengon rishikimi i pasurisë së saj.
“Le të fillojnë nga unë, le të rishikojnë pasurinë time. Unë nuk kam asnjë pengesë prej kësaj, por mënyra se si i qasen kësaj, në mënyrë kërcënuese e propaganduese, kjo tregon se ata janë të pazotë. Një Ligj i tillë është i domosdoshëm. Kjo iniciativë është marrë në kohën kur ministër ka qenë Abelard Tahiri. Fati e deshi që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe ka ngecur”, ka thënë ajo.





Mirëpo cila është pasuria e saj dhe motrës së saj, Fatmire Musliu, e cila është shefe e misionit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt, të cilat janë deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit?
Ganimete Musliu ka deklarur tek pasuria e paluajtshme një banesë, vlerën e të cilës nuk e bën publike, ndërsa posedon edhe një veturë Seat Arona në vlerën mbi 14 mijë euro.
Ajo pa bërë publike edhe borxhet e saj, kreditë për banesë, veturë dhe nevoja personale që kapin vlerën 88 mijë euro. Të hyrat vjetore të saj kapin vlerën mbi 23 mijë euro, paga mujore e saj si deputete ështëmbi 1,800 euro.





Ndërkaq motra e saj konsulle në Gjermani ka deklaruar vetëm borxhin për banesë në vlerën 48 mijë euro të cilin e kanë deklaruar si të përbashkët e motrën e saj deputete.
Paga e saj mujore kap vlerën mbi 2,800 euro, derisa të hyrat vjetore nga ‘Amres Caffe’, janë në vlerën mbi 1,700 euro.