Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh edhe njëherë i prerë lidhur me marrdhëniet me Serbinë.
Ai deklaroi në emisionin me gazetarin Çim Peka se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë pa njohjen reciproke.
Peka: Për ta mbyllur me dialogun. A keni ndonjë parashikim se kur do të jetë fundi i bisedimeve dhe kur do të jetë marrëveshja finale?
Kurti: Marrëveshja ligjërisht e obligueshme siç e kanë përkufizuar edhe aleatët dhe partnerët tanë, veçanërisht SHBA, duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Aktualisht as ne nuk e njohim Serbinë dhe as ata nuk na njohin neve. Na nevojitet një njohje reciproke. Ne ekzistojmë edhe pa këtë njohje. Është një shembull i mirë që Kosova, po avancon edhe pa njohjen e Serbisë. Unë nuk dua që varësinë e dikurshme nga Serbia, ta zëvendësojmë me varësinë nga njohja prej Serbisë. Pra edhe pa njohjen e Serbisë ne ecim para. Mirëpo me njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, ne do të mund të integrohemi më shpejt.
Peka: Z. Kryeministër që Serbia nuk e njeh Kosovën, ky është një fakt. Ju po thoni se edhe Kosova nuk e njeh Serbinë?
Kurti: Kosova nuk e njeh Serbinë, nuk mund ta njoh Kosova, Serbinë, kur nuk e njeh Kosovën. Madje do të duhej 1 minutë më vonë, pas njohjes së Kosovës nga Serbia, ta njohë Kosova Serbinë. Vetëm një Serbi që njeh Kosovë, ne mund ta njohim. Ne tani kemi mosnjohje reciproke.
Peka: Është qëndrim me dy standarde, pasi ka edhe shtete të tjera që nuk ju njohin dhe ju i njihni. Sepse duke mos njohur Serbinë, ata mund të ngrejnë ndonjë pretendim. Unë nuk mendoj se Kosova ka pretendime territoriale ndaj Serbisë. Ka dhe shtete të tjera që nuk u njohin dhe Kosova i njeh?
Kurti: E vërtetë. Po unë nuk mund ta vë, ta zëmë: Serbinë, në të njëjtin raport me Sllovakinë. Sllovakia, Greqia nuk na njohin, por ato nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë dhe nuk kanë pretendime ndaj Kosovës. Ndërkohë që Serbia, e ka Kosovën në Kushtetutën e saj, në pjesën e dytë të fjalisë që thotë se është pjesë e Serbisë. Pra, një Serbi e tillë, me një Kushtetutë të tillë, ne nuk mund ta njohi.
Peka: Sot e gjithë bota i ka sytë të lufta në Ukrainë. Një konflikt i cili ka destabilizuar, Europën dhe Botën. Duke pasur parasysh raportet e Serbisë me Rusinë, është mjaft e ndjeshme debati nëse dialogu duhet të bëhet në këto kushte, apo të presim. Për ju është më e favorshme që dialogu të bëhet në kushtet kur Serbia është e atashuar dhe ai ambalazh demokratik që u mundua të krijonte i ra, apo në kushte të tjera më të favorshme.
Kurti: Kur na ftojnë në Bruksel, nuk përcaktohet nga ne. Është gabim që ftesave të Brukselit ose të SHBA, pasi janë bashkë, ti themi jo. Kur na ftojnë në takim shkojmë. Unë prezantoj qëndrimin e Kosovës, denoncoj krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia dhe shtroj kërkesa konkrete. Ndërsa në anën tjetër, po ashtu gjithë faktorëve ndërkombëtar ua tregoj lidhjet e ngushta mes Serbisë dhe Rusisë. Takimi i fundit mes presidentit të Serbisë dhe Federatës Ruse, u zhvillua në 25 nëntor të vitit të kaluar në Soçi të Rusisë, një ditë para takimit të mbledhjes së 7 të dy qeverive në Elbasan. Në atë takim kanë deklaruar se kanë diskutuar për hipokrizinë ndërkombëtare, e me qëllim presidenti i Serbisë e ka vënë hartën e Kosovës në tyrezën e bisedimeve me presidenti despotik të Rusisë, dhe aty i ka treguar veriun e Kosovës. Ky ishte takimi i 19 mes Vuçiç dhe Putin. Pa u bërë dy javë nga kjo, në 8 dhjetor, presidenti i Rusisë e emëron një Gjeneral Major, si numër 2 në Armatën e Federatës Ruse, Junuzbeg Jevkurov, i cili në vitin 1999, pat sjellën në natën e 11 qershorit, 206 ushtarë rusë nga Bosnja në aeroportin e Prishtinës që të mbërrijnë para NATO-s. Kremlini është shumë i preokupuar me Kosovën, ndërsa Serbia i ka lidhjet e ngushta, si ushtarake dhe ekonomike. 56 % e industrisë së naftës në Serbi i ka Gazprom.
Peka: Po investimet e huaja i pengojnë sipas jush korrupsioni i lartë në Kosovë që ka qenë dhe ju po e luftoni apo e pengon një marrëveshje finale me Serbinë, kur ‘de-fakto’ Rama dhe ‘de-juro’ Vuçiç ju akuzon ju si pengues?
Kurti: Në kushtet e mungesës së marrëveshjes me Serbinë janë rritur investimet e huaja direkt. Pra, pse janë rritur me 22 përqind investimet e huaja direkt kur nuk kemi marrëveshje? Unë besoj se investitorët më shumë shohin stabilitetin institucional dhe respektimin e ligjit se sa raportin me Serbinë.