




Deputeti i VV-së, Dimal Basha, u ka reaguar përsëri Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës i kanë reaguar bashkë Bashës sot, i cili krahasoi gjyqtarë dhe prokurorë kosovarë me ata të kohës së lider famëkeq serb, Sllobodan Millosheviqit.
Një shkrim i Bashës më datë 24 qershor, i ka shtyrë KGJK-në dhe KPK-në të dalin me një deklarim të përbashkët, ku e dënojnë gjuhën e deputetit, shkruan Gazeta Express.





Këto dy sisteme u kanë kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të respektojnë pavarësinë e tyre.
Mirëpo Basha ka thënë se është e frikshme se si kanë dalë me një reagim të tillë ato dhe i ka quajtur ata “kapadai”





“Deklaratën e këshillit e marr pak me dyshim bile është e frikshme se qysh një këshill del e thotë nuk besojmë në ndryshime ligjore nga Kuvendi i Kosovës, që ka mandat për atë punë bile kemi mendime edhe nga komisioni i Venecias, e këta kapadai dalin e nuk e respektojnë”, tha ai në emisionin DPT te Fidani në T7.
“Këshilli i zbaton ligjet e Republikës së Kosovës që votohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pikë”, shtoi ai.