Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktivisti shqiptar në Amerikë, Liri Loshi, është shprehur i impresionuar me paraqitjen e presidentes Vjosa Osmani, para gazetarëve, në Samitin e Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se oratoria e presidentes Osmani, krahasohet me atë të oratorëve më të mirë të kohës në botë, përcjell Bota sot.
Loshi ka folur edhe për akuzat që iu bënë presidentes për shkak që Kosovës, nuk iu liberalizuan vizat, duke i quajtur ato “urrejte të skajshme dhe të turpshme”.
Reagimi i Loshit në Facebook:
Nuk ka ndodhë një udhëheqës shqiptar të më impresionojë si Vjosa Osmani me paraqitjen e saj para gazetarëve para fillimit të Samitit Evropian dhe me fjalimin e saj në samit. Oratoria e saj lirisht mund të krahasohet me atë të oratorëve më të mirë të kohës në botë.
Oratoria nuk është e vetmja gjë që e shquan një lider të mirë, por desha të theksoj se përveç cilësive tjera, në këtë pjesë Vjosa po shkëlqen. Kur Kosova e ka një Rita Ora dhe një Dua Lipa që si yje artistikë vezullojnë gjithandej, fjalimet e bukura të presidentes Osmani konfirmojnë se vlerat që burojnë nga populli ynë nuk janë të rastësishme, por janë esenciale dhe imponojnë vëmendje.
Mjerisht, shumë bashkëkombas tanë anashkaluan këtë dhunti të Vjosës dhe u morën me gjuhën e trupit të presidentit Macron, duke e (keq)interpretuar atë si mospërfillëse, mospajtuese e nënçmuese. Dhe, për të qenë edhe më qesharakë, fajësuan Vjosën për gjuhën trupore të tjetrit. Ata shkuan edhe më tej: fajësuan atë edhe për refuzimin e vizave!!! Urrejtje e skajshme dhe e turpshme! Deri në zhvlerësim të vetvetes!
Një prezantim të tillë, të denjë ende nuk i ka bërë Kosovës askush. Uroj që Vjosa Osmani të na prezantojë vazhdimisht me të njëjtin nivel të dijes politike dhe të talentit linguistik.