Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka reaguar pas një deklarate të sotshme të Ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili përmes një krahasimi të numrit të regjistruar të punëtorëve në vitin 2019 me numrin e punëtorëve të regjistruar në vitin 2022, u përpoq ta krijojë bindjen se janë hapur vende të reja pune.
Zogaj ka thënë se diferenca e numrit të të punësuarve mes viteve të krahasuara, vjen si rezultat i regjistrimit të punëtorëve për të përfituar nga subvencionet gjatë periudhës pandemike.
Për më shumë, ai ka pyetur publikisht ministrin Murati se sa është punësimi real dhe sa vende të reja pune janë hapur në vitin 2021.
“Këta janë të gjithë punëtorë të regjistruar për t’i marrë subvencionet e pandemisë! Sa është punësimi real Z. Ministër? Sa vende të reja pune janë hapur në vitin 2021?”, ka shkruar ai në Tëitter.
Murati, sot në rrjete sociale, ka publikuar shifrat që thotë se i ka marrë nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). “Të punësuarit aktivë sipas të dhënave zyrtare nga ATK: Maj 2019: 318,610 të punësuar; Maj 2022: 382,861 të punësuar”, shkroi ai sot.
Ky reagim i Muratit mori shumë reagime negative edhe nga qytetarët në rrjete sociale.
Edhe vetë kryeminsitri Albin Kurti disa herë e ka përsëritur deklaratën e njëjtë që Kosova po shënon rritje të ekonomisë dhe punësimit me ardhjen e qeverisë së tij. Megjithatë, një pretendim i tillë, nga njohës të ekonomisë është parë me skepticizëm.
Në Ditën e të Drejtave të Punëtorëve, Kurti kishte deklaruar se në Kosovë ishin hapur rreth 25 mijë vende pune.
“Për t’ua lehtësuar barrën administrative bizneseve në deklarimin e punëtorëve, kemi publikuar format e kontratave të punës për kohë të caktuar, për shërbime të veçanta dhe për kohë të pacaktuar. Si rezultat i këtyre hapave në vitin 2021 kemi zyrtarizuar mbi 10,000 vende pune, teksa gjithsej janë hapur mbi 25,000 vende të reja pune”, kishte shkruar ai.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, Jusuf Azemi kishte deklaruar se nuk beson që në Kosovë ishin hapur vende të reja pune, siç pretendonte kryeministri.
“Nuk e besoj se janë krijuar 25 mijë vende të punës, sepse, në të njëjtën kohë, kanë mundur të largohen nga puna 30 mijë punëtorë të tjerë. Kjo për ne është shqetësuese. Pastaj, një numër i punëtorëve kanë qenë duke punuar [pa kontrata] dhe bizneset i kanë futur në sistem të pagave për shkak se Qeveria e Kosovës i ka stimuluar ato që t’i formalizsojnë punëtorët”, kishte deklaruar Jusuf Azemi nga BSPK në një përgigje për Radio Evropa e Lirë.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, duke folur për lajminet i kishte parë si euforike deklaratat e krerëve të Qeverisë për shtim të numrit tëtë punësuarve dhe rritje ekonomike në Kosovë në kohën e një inflacioni në progres, që ai e kishte quajtur kancerogjen.
“Është e vërtetë që kemi pasur deklarata të shumta për rritje ekonomike. Kjo rritje ekonomike, që po paraqitet si formë nga institucionet dhe Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar, e ka irrituar masën. Sepse, rritja ekonomike substanciale është ajo rritje, efektet e së cilës i shijon qytetari. Në këtë drejtim, qytetarët e Kosovës kanë pasur shumë pak hapësirë që t’i shijojnë frytet e rritjes ekonomike në Kosovë”, kishte deklaruar ai. /GazetaEpxress/