Liberalizimi i vizave për Kosovën në margjinat e Samitit të BE-së

Disa diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian vazhdojnë të thonë se vendet e tyre po bëjnë përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo do të shërbente pastaj si një pikënisje për procedurën, e cila do të iniciohet në grupet punuese të Këshillit, ku edhe do të merreshin vendimet.

Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave.

Komisioni këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.

Ndërkohë, edhe Parlamenti Evropian ka mbështetur dhe ka dhënë pëlqimin e vet për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Mbështetjen e Parlamentit Evropian e ka përsëritur të mërkurën edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, pas takimit që ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Metsola ka shkruar në Twitter se “liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa vonesa”.

Por, çështja gjithmonë ka mbetur e bllokuar në Këshillin e BE-së.