




Ish-ministri i integrimeve eruopiane, Bekim Çollaku, ka thënë se ka arsye për të qenë optimist nesër e pasnesër sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.
Në një kolumne të botuar në Sbunker.net, Çollaku ka thënë se qytetarët e Kosovës janë populli më pro-europian në Europë.





“Një vendim pozitiv përfundimtar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duket të jetë në horizont.
Një mundësi e tillë ndoshta mund të jetë edhe takimi i radhës i Këshillit Europian më 23-24 qershor, që gjithashtu rastis me konferencën e nivelit të lartë të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor.





Përderisa në këtë takim BE-ja pritet të jetë shumë dorëlirë ndaj Ukrainës, (bazuar në rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian), humbja edhe e këtij rasti nga ana e BE-së për të marrë një vendim pozitiv për Kosovën, do të ishte edhe një gabim strategjik në qasjen e saj ndaj popullit më pro europian në Europë.
Megjithatë, një lëshim i tillë kurrsesi nuk do ta befasonte askënd, sepse do të ishte vetëm edhe një gafë më shumë në listën e lëshimeve të mëdha të politikës europiane në raport me Kosovën dhe kosovarët.





Fatkeqësisht, lista e veprimeve jo të drejta të BE-së në relacion me Kosovën është tepër e gjatë për ta shtjelluar këtu, por mjafton të theksohet fakti se pesë shtete anëtare ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, shkroi ai.
Tutje, ish-ministri që kishte festuar një herë liberalizimin e vizave me hapjen e shampanjës në zyrat e tij në vitin 2016, thotë se edhe situata gjeopolitike është në favor tonin.





“Sido që të jetë, një dozë optimizmi duhet ta kemi, jo vetëm për faktin se Kosova ka kohë që ka përmbushur të gjitha obligimet e saj, por edhe për shkak se aktualisht është krijuar një kontekst gjeopolitik i ri i favorshëm, si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe përfundimit të cikleve zgjedhore në shtetet anëtare të BE-së, të cilët bartin barrën kryesore për politikën e jashtme dhe të sigurisë në kuadër të BE-së (p.sh. Franca).
Përkundër këtyre rrethanave favorizuese, ende nuk ka siguri se vendimi për heqjen e vizave për Kosovën do të merret gjatë këtij takimi.
Një gjë e tillë sigurisht që varet nga vullneti politik i vetë shteteve anëtare të BE-së, të cilat së voni kanë dhënë sinjale pozitive, që mund të lexohen dhe kuptohen nga çdokush që u kushton vëmendje zhvillimeve politike në kontinent.”, shtoi ai.