Pak ditë më parë, rreth 24 mijë nxënës të cilët kanë përfunduar klasën e nëntë ju nënshtruan Testit të Arritshmërisë, i cili këtë vit u mbajt në dy ditë të ndryshme.
Megjithatë, ajo çfarë morri vëmendje më të madhe se sa vet Testi i Arritshmërisë, ishte fakti që, nxënësit, sikurse në çdo gjeneratë tjetër, edhe kësaj radhe i shpërndanë testet me përgjigjet e sakta në rrjete sociale.
Rreth gjithë kësaj, organizata ETEA, ka lëshuar një komunikatë për media, ku ka adresuar këtë problematikë.
ETEA, ka bërë të ditur se, një situatë sikurse ajo me semimaturantët është edhe me nxënësit e nivelit me Provimin e Maturës.
Kjo organizatë, përmes përcjelljes së vazhdueshme, ka konstatuar se gjendja është alarmante, pasi që, sipas dëshmive të siguruara nga ETEA, maturantët po bashkëpunojnë me mësimdhënësit në grupet e rrjeteve sociale me qëllim për të kopjuar.
Po ashtu, ETEA, bën të ditur se, në komunikimet mes nxënësve kërkohen edhe shërbime duke premtuar pagesa, por, përveç kësaj, premtohen edhe vota për Zgjedhjet Studentore në Universitet.