Publicisti kosovar, Baton Haxhiu, në kolumnen e tij të fundit s’ka kursyer as figura të tjera të Lëvizjes Vetëvendosje si Haki Abazi, Martin Berishaj, Agim Bahtiri, Valon Ramadani e të tjerë. Madje në mesin e këtyre emrave, Haxhiu e ka përfshirë edhe gazetaren Jeta Xharra duke e akuzuar si “vegël të Haki Abazit”, shkruan Express.
Gazetari kosovar thotë se të gjithë këta emra aktivizohen në momentin kur Vetëvendosje dështon në qeverisje.
Haxhiu shkon edhe përtej duke i quajtur si banditë, hajdut, thashethemexhinjë e injorantë, Mimoza Kusarin, Agim Bahtirin, Valon Ramadanin, Haki Abazin, Adnan Rrustemin e Martin Berishajn.
“Në rrethana kur VV-ja dështon në qeverisje, gjuha elokuente e argumenteve politike duhet të zëvendësohet me zhurmën e linçeve, bulizmave, të sharave, ofendimeve, konspiracioneve, të zërave si Mimoza Kusari, Haki Abazi (shpeshëherë nëpërmjet veglës së tij personale, Jeta Xharrës) e Armend Muja. Kush e ka menduar ndryshimin në Kosovë me banditë, hajdut, thashethemxhinjë, injorantë si Mimoza Kusari, Agim Bahtiri, Valon Ramadani, Haki Abazi, Adnan Rrustemi, Martin Berishaj? Ja, kjo është Lëvizja Vetëvendosje”, ka shkruar tutje Baton Haxhiu.
Siç thotë Haxhiu, roli i këtij grupi njerëzish është përpahpja e “mjegullnajës, sharjes, dezinformatave e gënjeshtarave”, për të pamundësuar debatin e vërtetë në Kosovë, duke përmendur rastin e çështjes së enegjisë.
“Roli kryesor i kësaj bande është përhapja e mjegullnajës, sharjes, ofendimeve, dezinformatave dhe gënjeshtrave, për ta pamundësuar çdo debat të vërtetë në Kosovë për Qeverinë e negocimit të sovranitetit energjetik me Serbinë. Haki Abazi tha se ne nuk ‘negociojmë’, por ‘dialogojmë’. Thyerjen e premtimeve të VV-së, pra, thyerësi i krejt rekordeve të dallavereve, në bashkëpunim me shefin e kabinetit të Kurtit, Luan Dalipin, e arysetoi me një lojë boshe gjuhësore. Megafonët e prishur janë domosdoshmëri, kur qeveria është e dështuar. Prandaj, mendimi kritik fillon kur qytetari refuzon ta marrë seriozisisht këdo me bagazh si të Mimoza Kusarit e Haki Abazit, kur flasin për ndryshim. Në fakt, vetëm duke e konstatuar nevojën për tejkalim politik dhe duke kujtuar rëndësinë e burgosjes së tyre për korrupsion, fillon edhe ngjizet mundësia e një ndryshimi të përnjëmendtë”, ka shkruar Haxhiu./Express/