Një histori e pazakontë vjen nga Papëri i Elbasanit, ku një gazetar ka hequr dorë nga lajmi për t’u marrë me prodhimin e qumështit të gomaricave.Elton Kikia prej 13 vitesh punoi në televizion, ku në 5 vitet e fundit ishte pjesë në Top Channel. Por 1 vit më parë, Eltoni vendosi të hapë fermën e tij te gomaricave.
“Kur e nisa këtë punë nuk e mendoja që do të hiqja dorë nga gazetaria, mendova se do t’i mbaja të dyja. Por punë po shkonin shumë mirë në fermë dhe për këtë arsye u shkëputa.
Duhet thënë që në fillim prindërit ishin kundër kësaj nisme, pasi ata kishin investuar që unë të bëhesha gazetarë e jo të kthehesha e të merresha me punët e fshatit”, thotë Kikia.
Ferma të tilla janë shumë të rralla, edhe pse për qumështin kurativ të gomaricës kërkesat janë të mëdha.
“Qumështi është kurativ për mushkëritë, si dhe të rrit imunitetin të bën mirë për rrugët e frymëmarrjes. Qumështi i gomaricës është një produkt i shtrenjtë 1 litër kushton 50 euro. Për të nxjerr 1 litër qumësht gomaricë afërsisht më duhet të mjel 5 gomarica në ditë”, tregon ai.
Fermën, Eltoni e nisi më 5 gomarica, ndërsa tani ka 23 krerë. Ai thotë se kjo kafshë është në zhdukje, për këtë arsye sa herë vjen në jetë një kërriç këtu festohet dhe gjësë së gjallë i vendoset emër.
“Balukja pasi e ka balluken e gjatë, Mistrecja nuk lë gardh pa ha, Oto burri i shtëpisë, Big Mama bën gjithmonë fëmijë të shëndetshëm, Paloma, Xhemi”, tregoi.