Të gjithë personat që do të duan të errësojnë xhamat e automjeteve në Shqipëri duhet ta bëjnë këtë sipas kuadrit të ri ligjor të miratuar përndryshe do të mbajnë përgjegjësi penale. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit xhamat nuk do të lejohen të errësohen në masën 100% por vetëm sipas tre niveleve të përcaktuara.
Automjetet do të lejohen të errësojnë vetëm xhamat anësore dhe nuk do të lejohet aplikimi i asnjë materiali, errësuese ose jo errësues, në xhamin ballor të mjetit. Xhamat anësorë të përparmë do të lejohen të errësohen deri në masën 50% ndërsa për xhamat anësorë të pasmë dhe fundor errësimi do të lejohet deri në 90%. Kjo vlen edhe për automjetet të cilat i kanë xhamat e errësuar që nga prodhimi.
DPSHTRR ka përcaktuar gjithashtu se tarifa për errësimin e xhamave anësorë të përparmë është 20 mijë lekë, por fillimisht duhet paguar 1,500 lekë për miratimin e errësimit të xhamave dhe 1,500 lekë për certifikimin e miratimit të errësimit të xhamave.
Errësimi i xhamave nuk do të lejohet të bëhet në çdo servis. Sipas udhëzimit, ky modifikim do të bëhet në servile të specializuara dhe të certifikuara nga DPSHTRR. Deri tani janë licencuar 12 servise të tillë.