Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka komentuar deklaratën e Albin Kurtit se ai nuk e ka marrë asnjëherë pensionin e veteranit. Murati thotë se ata që janë në marrëdhënie pune nuk iu takon pensioni.
Po ashtu, Murati tha se vetëm veteranët që janë të papunë mund të marrin pensionin dhe se Kurtit i takon kompensimi si i burgosur politik, edhe pse ai nuk i ka pranuar ato.
“Disa pohime, pa u vërtetuar asnjëherë shndërrohen në të vërteta absolute në opinionin publik. Një prej tyre, e që është pjesë e kryqëzatës kundër luftës çlirimtare dhe bartëses së saj kryesore UÇK-së e rrjedhimisht njerëzve të saj, është pohimi se të gjithë veteranët luftëtarë marrin pensionin prej 170 eurove. Kjo nuk është e vërtetë, sepse këtë shumë e marrin vetëm ata veteranë që nuk janë në marrëdhënie pune. Kryeministri Kurti sot u paska lavdëruar se nuk e ka marrë kompensimin si ish i burgosur politik e as atë të veteranit. Bravo i qoftë për të parën, ama këtë të dytën nuk ka si e merr sepse ai është në marrëdhënie pune dhe ka pagë të rregullt. Nëse e ndryshon ligjin dhe u ofron kompensim të gjithë veteranëve, atëherë mund të lavdërohet edhe për atë pjesë. Përndryshe, kështu si e tha, bëhet pjesë e diskursit që mjegullon opinionin për kompensimin ndaj veteranëve.”, shkroi ai në Facebook./Gazeta Express/