Kancelari gjerman, Olaf Scholz nis të premten një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor. Kryetarja e komisionit të të drejtave të njeriut në Bundestagun gjerman në intervistë me DW pret mesazhe të qarta ndaj Serbisë.
Deutsche Welle: Zonja Alt Ju kryesoni Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Bundestagun Gjerman dhe keni qenë për shumë vite raportuese për Ballkanin Perëndimor në grupin parlamentar të FDP-së. Kancelari gjerman, Olaf Scholz së shpejti do të vizitojë disa vende të rajonit. Si e vlerësoni situatën e të drejtave të njeriut atje?
Renata Alt: Natyrisht, situata e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor duhet mbajtur gjithmonë nën vëzhgim. Nuk ka ende progres të mjaftueshëm, nuk ka reforma të mjaftueshme, madje në Serbi të drejtat e njeriut vijnë duke u reduktuar. Sidomos në fushën e lirisë së medias, kontrolli mbi të cilat është rritur në mënyrë masive.
A do ta quanit Serbinë një regjim autoritar?
Në fakt ka organizata joqeveritare që në bazë të vëzhgimeve afatgjata thonë se Serbia është bërë shtet hibrid apo autokraci. Dhe kjo është shqetësuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për një vend kandidat për në BE.
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga vizita e kancelarit gjerman në rajon?
Do të ishte e rëndësishme që kancelari Scholz, gjatë vizitës së tij në Serbi, të ushtrojë presion ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe qeverisë së ardhshme në Serbi dhe t’u bëjë të qartë se Serbia duhet të përkrahë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe të dënojë qartazi krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë. Serbia duhet t’i japë fund politikës së luhatjes dhe të vendosë: a dëshiron të shkojë kah Rusia apo është vërtet e interesuar të antarësohet në BE?
Albin Kurti dhe Olaf Scholz në Berlin, maj 2022
Apele të tilla i bëhen shpesh zotit Vuçiq, por ai deri më tani nuk ka ndryshuar kurs. Përkundrazi, Serbia sapo përmbylli një marrëveshje të re me Rusinë për furnizimin me gaz. Pse Gjermania nuk reagoi fare për këtë marrëveshje?
Për fat të keq, Gjermania e ka bërë veten shumë të varur nga gazi rus, falë edhe një politike të dështuar të kancelares Merkel. Kështu është edhe në Serbi. Qeveria serbe duhet t’u garantojë qytetarëve apartamente dhe shtëpi të ngrohta në dimër. Por në planin afatgjatë nuk ka kuptim të lidhet me Rusinë dhe të blejë armë nga Rusia dhe Kina. Në Serbi ka edhe shumë kompani që janë pronë e Rusisë. Do të ishte e rëndësishme që këto kompani ose këta individë të përfshiheshin në listën e sanksioneve, siç ndodh në të gjitha vendet e tjera të BE-së.
Çfarë ka Gjermania në dorë për ta kthyer Serbinë në drejtimin e duhur?
Është e rëndësishme që të intensifikohet dialogu. Prandaj unë e përshëndes vizitën e kancelarit në rajon. Edhe pse momenti më duket i çuditshëm, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Rusinë. Druhem se Serbia do ta përdorë vizitën e kancelarit Scholz për një lloj propagande ndryshe nga ajo që do të donim ne në Gjermani. Vizita e kancelarit Scholz do të interpretohet nga media serbe si mbështetje për politikën e Aleksandar Vuçiqit.