”Ai më ndihmoi të futesha në punë”/ Gazetarja e njohur falenderon hapur Jul Dedën

Gazetarja Valbona Mhilli ka folur rreth fillimeve të profesioni të saj, duke veçuar emrin e aktorit të humorit Julian Deda, i cili e ka ndihmuar në nisjen e karrierës së saj.

E ftuar në një intervistë në “Ora News”, gazetarja dhe moderatorja tregoi se gjithçka ka nisur që në fëmijëri, ku ajo ishte dëgjuesja dhe telefonuesja e të gjitha emisioneve.

“Gjithçka ka filluar kur isha fëmijë dhe bëja prova me radion e shtëpisë. Gazetaria ishte një ëndërr e imja. Kur isha e vogël, isha telefonuesja dhe dëgjuesja e të gjitha emisioneve radiovizive dhe televizive. Madje disa herë edhe ndryshoja zërin, e bëja njëherë si nga Tirana, njëherë si nga Shkodra, njëherë tjetër si nga Puka dhe telefonoja”– tha ajo.

Ajo tha gjithashtu se mbështetja më e madhe ka qenë babai i saj. Sa i përket nisjes së karrierës, ajo tha se Julian Deda e ka ndihmuar t’i futet televizionit.

“Ka një episiod të vogël se si arrita në televizion, nga mosha 10 deri në 18 vjeçe në radio, unë iu përkushtova shkollës dhe u angazhova me disa aktivitete të tjera, ku unë dhashë një pjesë të madhe të kohës. Një ditë të bukur zgjohem dhe them , “unë dua të prek televizionin”, pa e ditur si, sepse nuk kisha kontakte në televizone. Për t’iu futur rrugës së televizionit ishte pak e vështirë. Unë I bëj një telefonatë Julian Dedës, në atë kohë ai punonte te programi “2XL”, i them “Juli unë dua të filloj punë në televizion, dua të më marrësh tek “Apartamenti 2XL”.

Ai habitet dhe më pyeti se çfarë do të bëja aty. I thashë se nuk kishte rëndësi, rëndësi kishte të më merrte në punë. Ai më tha se aty nuk kishte hapësirë. Ndërkohë që më telefonon pas disa kohësh dhe më thotë që në një televizion kërkonin gazetare terreni. U gëzova shumë, nuk e mora me frikë, por me shumë gëzim.