Më 10 maj të këtij viti, kryeministri Edi Rama vizitoi në Hagë mikun e tij ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Kryeministri Rama tregoi se çfarë arsyetimi dha për vizitën në formularin te Dhomat e Specializuara kur shkoi për vizitë te Thaçi raporton Gazeta Express.
“Ishte tek ai formulari që plotësova, pyetja cila është arsyeja dhe unë e shkruajta më ka marrë malli”, u shpreh Rama.
Në emisionin Opinion, Rama rrëfeu për prapaskenat e takimit me ish-eprorin e UÇK-së që po mbahet në paraburgim në Hagë.
“Ishte në superformë fizike dhe le të themi emocionale, dukej jashtëzakonisht mirë, sikur ishte rinuar sepse faktikisht aty ka një jetë padiskutim përtej izolimit me orare me regjim, me ushtrime me lexime pa ato streset e punës. Nuk po them se është më mirë atje sesa që do të ishte në Prishtinë, sepse do të ishte e tepërt por nga pamja psiko-fizike mu duk në superformë. Folëm për shëndetin, dhe më ka treguar që për herë të parë qysh se ai bën analiza trupi i tij është me të gjitha ato parametrat optimalë, më ka treguar për strërvitjet që bën për leximet e shumta që bën”, tha Rama.