Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë tregon çfarë i thanë në Gjermani për Ballkanin e Hapur

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka vizituar Gjermaninë duke në vizitën e saj të parë zyrtare në këtë shtet. Nikolla ka thënë edhe disa fjalë për projektin gjerman të Procesit të Berlinit dhe si përputhet ajo me iniciativën “Ballkani i Hapur”.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, është edhe iniciativa për Tregun e Përbashkët Rajonal që sipas Nikollës, nuk bie në desh me Ballkanin e Hapur.

“Po. Folëm edhe për bashkëpunimin rajonal, edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur dhe mesazhi ishte që duhet avancuar në bashkëpunimin rajonal, sepse përmes bashkëpunimit rajonal ka të mira që i mirëpresin të gjitha vendet që futen në këtë bashkëpunim. Por, sigurisht, duhen parë në një ombrellë të madhe siç është Procesi i Berlinit. Edhe Open Balkans mundëson krijimin e një tregu të përbashkët, krijimin e mundësive dhe zbatimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian dhe iniciativa të tjera, si iniciativa e gjelbër, iniciativa digjitale etj., që janë në fokus edhe të Bashkimit Evropian”, tha ajo për DW.
“Ne jemi bashkëpunëtorë rajonalë dhe jemi për bashkëpunimin rajonal, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, por patjetër me shikimin drejt Europës, drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është e vendosur dhe nuk ka plan tjetër, përveç një plani, që është plani A: integrimin në familjen e madhe evropiane”, shtoi ajo.

Tutje ajo foli edhe për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE për Shqipërinë.

“Sigurisht, Paralamenti i Shqipërisë ka kohë që punon për standardet evropiane, duke i dhënë qasjen evropiane të gjitha ligjeve që ka. Bashkëpunimi me parlamentet evropiane do të jetë një e dhënë bazë e Parlamentit shqiptar, sigurisht, për të vijuar në të gjitha ato reforma që ka nisur. Çelja e negociatave nuk është fundi i procesit, por vetëm fillimi. E rëndësishme është që ne të avancojmë në këtë rrugë dhe që Shqipëria të mos e ulë në asnjë moment ritmin e reformave që janë së pari reforma për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë”, përfundoi ajo.