Ambasadori i Gjermanisë jep sinjale që liberalizimi i vizave për kosovarët është afër

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, është shprehur optimist se liberalizimi i vizave për kosovarët do të bëhet këtë vit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar.

“Lidhur me këtë duhet t’i pyesni ata. Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë edhe gjatë vizitës së fundit të ministres dhe ministrit vitin e kaluar. Për ne kjo çështje është vonuar dhe ky është mendimi edhe i shumicës së vendeve të tjera. Mendoj se ai ka më shumë gjasa të vijë herët, sesa vonë. Dhe unë nuk jam vetëm ambasadori i fundit. Shpresoj se liberalizimi do të vijë këtë vit”, tha Rohde për Klan Kosovën.

Rohde është pyetur edhe për numrin e madh të kosovarëve që po shkojnë të punojnë në Gjermani.

Ka deklaruar se edhe nga Gjermania largohen çdo vit 300 mijë gjermanë, duke shtuar se disa kthehen sërish.

“Unë jam ambasador gjerman dhe me këtë më duhet të marr dy vendime të vështira. Gjermania është një vend i vjetër. Imigrimi është mirë për Gjermaninë, por jo aq mirë për Kosovën. Ju jeni vendi më i ri në Evropë. Mirëpo emigrimi dhe imigrimi gjithmonë janë çështje individuale. Ne jetojmë në një demokraci dhe çdo vit nga Gjermania emigrojnë 300.000 gjermanë që shkojnë në vende të ndryshme. Disa edhe kthehen”, ka deklaruar ambasadori.

Ai ka zbuluar se edhe prindërit e tij kanë emigruar nga Gjermania në vitet e ’50-ta shkaku i gjendjes ekonomike, por se janë kthyer sërish.

“Ne kemi projektprograme këtu përmes së cilave kthehen edhe kosovarët që kanë një kualifikim dhe ne i mbështesim ata që kthehen për të ndihmuar në ngritjen e vendit të tyre. Prandaj edhe përpiqemi që të përmirësojmë edhe kushtet: më shumë investime, më shumë siguri ligjore, arsim më të mirë profesional, arsim profesional dual. Edhe një herë: emigrimi është vendim individual. Edhe prindërit e mi kanë emigruar nga Gjermania në vitet ’50, sepse situata ekonomike në Gjermaninë e pasluftës nuk ka qenë aq e mirë, por më vonë janë kthyer dhe kjo mund të ndodhë gjithherë”, tha Rohde.

Rohde ka thënë edhe që Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës dhe për këtë e ka mbështetjen e Gjermanisë.

“Ne e mbështesim këtë. Kosova e ka vendin në Këshillin e Evropës, pikërisht për shkak të arsyeve si: të drejtat e njeriut, shteti ligjor. Kosova është pjesë e Evropës dhe do të duhej të bëhej anëtare. Shumë probleme që ekzistojnë aktualisht në mes të shteteve do të mund të trajtoheshin edhe në kuadër të procedurave të Këshillit të Evropës, për shembull në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, tha ai.

Por, ka shtuar se Kosova duhet të trajtojë edhe tema si çështja e Manastirit të Deçanit.

“Pra unë jam optimist, por për këtë Kosova duhet të trajtojë edhe temat, të cilat nuk janë aq të pëlqyeshme, si çështja e Manastiri të Deçanit”, tha ambasadori gjerman./Reporteri.net