Shkruan: Baton Haxhiu
Një mori ngjarjesh të kohëve të fundit mund të kenë pasoja të mëdha për jetën politike të vendit. Çuditërisht, këto zhvillime nuk kanë marrë vëmendjen e mjaftueshme qoftë edhe nga pjesa më kritike e shoqërisë.
Fillimisht, shpallja e Milanos kampion i Serie A pas 11 vitesh, mund t’i jap pak më shumë kohë Lumir Abdixhikut për të kryer detyrën të cilën e fitoi në një moment dobësie të LDK-së. Pastaj, emërimi i disa ministrave të qeverisë në hije të PDK-së, me shumë gjasë do t’i sjellë shumë kokëdhimbje të madhe tashmë Kryeministrit në ekzil, Albin Kurtit. Këtu është fjala veçanërisht për Ministren e Mbrojtjes të Kosovës, Besa Kabashi-Rama, e cila tashmë është simbol i luftës speciale të pastrimit të krerëve të UÇK-së për largim nga pozita drejtuese në PDK, si një mision i posaçëm i dyshes Krasniqi-Çitaku.
Akuzë e rëndë? Jo, fare.
Ata kanë vënë si nënkryetar Ramë Bujën, si një njeri më pak të përfolur dhe pak më të pranueshëm në disa qarqe të ngushta të shoqërisë së tyre të shkollës së mesme, sa për sy e faqe, sa për të thënë se në krye të PDK-së ka pak UÇK ‘civile’ dhe ‘urbane’. Pjesa tjetër, ndërkaq, nga Sami Lushtaku, Elmi Recica, Bekim Haxhiu-Kamishi e deri te Hisni Berisha, janë jashtë kryesisë dhe vetëm për mbledhje votash në terren. Hisni Berisha, pra, një prej udhëheqësve të dalluar të Betejes së Kosharës, tani e tutje do t’i shërbejë Besa Kabashi-Ramës, e cila nuk ka as ekspertizë as përvojë për të qenë numri 1 i sigurisë kombëtare, as bazë elektorale në Kosovë, as ndonjë reputacion publik, përveç ndonjë lidhje në estradë që mund t’i leverdisë nja katër-pesë dostash që kanë zgjedhur ta trajtojnë PDK-në si laborator eksperimentesh për ta bërë politikan çdo të dytin njeri që frekuenton rregullisht kafeteritë e kryeqytetit.
Sa për profile femra, Ganimete Musliu është ku e ku më e zgjuar, më e përgatitur, më atdhetare, më me përvojë institucionale për atë detyrë, por këtë nuk mund ta kuptojnë disa njerëz të kompleksuar që kanë pushtuar kreun e Partisë.
Kjo vërehet te listat e fundit për zgjedhje lokale ku PDK-ja, për shembull, e fyeu pa skrupull veçanërisht Prishtinën duke i bërë ofertë Prishtinës ta votojë një astreologe, fallxhore, e cila fatin e kombit e zbulon në filxhan t’kafes së Bon Vivant. Në fund, rikthimi i Albin Kurtit në Kosovë, i cili pasi siguroi një pushim superlukzoz në Amerikë, mund të kthehet shumë më i freskët në detyrën e tij si Kryeministër.
Gjatë kësaj periudhe, ai me siguri e ka ndarë mendjen se a do ta marrë në qeverinë e ardhshme PDK-në a LDK-në, sepse Memli e Lumiri ka kohë që janë të gatshëm pa kushte, për t’i dhënë krahë projektit KREJT dhe DREJT. Në fund të ditës, vetë PDK u bë pjesë e një skenari të turpshëm për ta rrëzuar nga detyra Lufti Hazirin në Gjilan, një prej politikanëve më me përvojë në Kosovë, për t’i ndihmuar një axhamie politik, Alban Hysenit, vetëm për ta lidhur një kumari të vogël me Vetëvendosjen, me llogarinë e ulët që nesër kjo kumari mund të bëhet e madhe. Ideali i këtyre njerëzve, pra, është sa madhësia e xhepit a karriges së tyre.
Lumir Abdixhiku, ndërkaq, është shitur ende pa hyrë mirë në zyre të Kryetarit të LDK-së. Në Qeverinë Kurti 1, ai ishte pjesë e bandës së Vjosa Osmanit për ta ndarë LDK-në në dysh në mënyrë që ta ndajnë më lehtësisht pastaj pushtetin me Albin Kurtin. Në këtë mënyrë, marrëdhënia LDK-VV e shndërruan në marrëdhënie Albin-Vjosë. Kjo u bë në emër të vendosjes së reciprocitetit, që ishte vetëm një kauzë falco sikur pothuajse çdo buzëqeshje e Vjosës, e një manovre strategjike që Vetëvendosje nga 20 e kusur % të shkoj mbi 50%. Kaq.
Për më shumë, Abdixhiku sot as nuk guxon t’ia kujtojë Vetëvendosjes këtë pabesi bërë popullit të Kosovës, ai maksimalisht gjen guxim të flet për ‘paaftësi’, edhe atë me shumë gjasë me leje paraprake.
Abdixhiku e bëri Vjosën Presidente me vota të LDK-së pa një marrëveshje shteruese për të garantuar se ajo do sillet si simbol i unitetit të popullit, jo si një konkurrente e Albulena Haxhiut se cila është aktiviste më e devotshme e VV-së. Lista Guxo? Ah, ndjesë lexues i dashur, nëse ende nuk e keni kuptuar se ajo është thjeshtë një farsë. Sidoqoftë, Abdixhiku e mban përgjegjësinë e plotë që me vota të tij ka vënë në krye të vendit një grua që për nga shkalla e përzierjes në punë politike ditore e ka thyer edhe rekordin e kohës kur Fatmir Sejdiu kishte ‘ngrirë’ detyrën e tij si Kryetar i LDK-së. Gjithsesi, Vjosa ka mësuar shumë nga Fatmir Sejdiu në punë dhe në jetë.
Po ashtu, Abdixhiku qëndroi gojëmbyllur kur u zbulua skandali i tmerrshëm se Ministrja e Jashtme e Kosovës kishte dhënë premtime se do dorëzojë prova në Gjykatë Speciale për krerët e UÇK-së. Ai edhe sot nuk flet për të si i mjerë duke e tregtuar interesin e Kosovës me llogaritë e tij personale elektorale. Për këtë çështje sot nuk flet as PDK-ja, e, mbajeni në mend, nuk do ta ndjek deri në dorëheqje të Ministres, as Vlora Citaku, as Besa Kabashi-Rama.
Abdixhiku së bashku me Memlin i shkuan në zyrë për t’i dhënë mbështetje një prej operacioneve elektorale të Albin Kurtit në Veriun e Kosovës. Nga frika e madhe apo adhurimi i heshtur për Albin Kurtin, ata të dy u bënë mbështetës të një aventure pa krye me zero rezultate.
Abdixhiku nuk guxoi t’ia thotë të vërtetën në sy Albin Kurtit as për dështimin historik me pandeminë. Kur dikur Ministri i LDK-së, Armend Zemaj, ende pa vaksinë, e kishte menaxhuar situatën me më pak se 10 vdekje në ditë, Kurti e quante Armend ‘Zezaj’, e Abdixhiku nuk e mbronte kolegun e tij. Kur edhe pas sigurimit të vaksinës, për shkak të hapjes së parakohshme të masave sepse Arben Vitia e hidhte shotën si flutur në dasma të familjarëve, numri i vdekurve nga COVID-i shënoi rekord, jo Albin Kurti, por vetë Abdixhiku shmangej nga e vërteta si i gjorë.
Në këto rrethana, ai nxori nga mënga e këmishës së shtrenjtë, një arkitekt shqiptar nga Londra të cilin këtij vendi ja shitën me sponsorisime si kuadro botëror.
Sot, ndërkaq, është krejt e qartë që Përparim Rama është bërë pjesë e garës së vështirë me Shpend Ahmetin, për të vërtetuar se cili prej tyre është kryetari më i dobët në historinë e Kryeqytetit.
Përparim Rama po ashtu duhet të sqarojë nëse e gëzon ende mbështetjen e disa qarqeve mafioze në Prishtinë apo këtë do ta vërtetoj koha. Uran Ismajli, ndërkaq, përveç që u tregua personalisht i dobët, ka edhe përgjegjësi publike për dëmin që i shkaktoi Kryeqytetit duke i dhënë mbështetje në projekti eksperimental.
Në krejt këto rrethana, dy tri fjalë duhet thënë pashmangshmërisht edhe për Kujtim Shalën. Në fakt, ai ka qenë prej figurave më të përgatitura dhe më premtuese në Kosovë, por ai sot s’është asgjë më tepër se simbol i konformizmit me degradimin e pamatshëm të LDK-së.
Për shkak të paguximit të tij të pashpjegueshëm, ai e lëshoi nga dora mundësinë e artë për ta marrë kreun e LDK-së, duke ia lënë në dorë Lumir Abdixhikut. Kësisoj, në vend se të marrë përgjegjësi drejtuese, ai ka vendosur të bëhet mbështetës me arsyetime publike i çdo palaçoje që fiton pushtet në LDK. Rrjedhimisht, duke qëndruar i heshtur dhe verbërisht krah Abdixhikut, ai sot është përgjegjës jo vetëm për degradimin e LDK-së, por edhe për situatën e rënduar në Kosovë në përgjithësi. Konformizmi i tij më s’mund të ketë asnjë arsyetim: ai nga një akademik i rrallë e politikan premtues është shndërruar në një konformist të zakonshëm i një politikani edhe më të zakonshëm, shumë ordiner, sikurse Abdixhiku.
Për gjysmë mandati, Albin Kurti nuk ka bërë as edhe më të voglin ndryshim në Kosovë. Me dy ministra më të dobët se tjetri, e veçanërisht me Rifat Latifin i cili ende nuk e ka mësuar mire vendndodhjen e godinës së Ministrisë, ai e ka bërë shëndetësinë shumë më keq se që ka qenë.
Pra, ata që kanë folur për përgjegjësi e përkushtim në detyrë, na kanë sjellur një Ministër i cili i braktisë pacientët nevojtarë në dhomat e shkalafitura të QKUK-së sa herë ka për të bërë qejf jashtë vendit. Për kontratat e dëmshme të këtyre matrapazëve, do ta keni një shtjellim të veçantë, meqë Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku nuk guxojnë ta bëjnë. Veçanërisht në sektorë të shëndetësisë nuk guxojnë ta bëjnë.
Për shkak të kuptimit shumë të vonë të krizës energjetike, kur Shqipëria e Serbia patën marrë masa prej kohësh, Albin Kurti, Rozeta Hajdari e Artane Rizvanolli ua shtrenjtuan ndër sy faturat e energjisë eklektike qytetarëve të Kosovës duke u gënjyer çkamos. Të njëjtit, ndërkaq, ende nuk guxojnë të fillojnë instalimin e njësorëve në komunat veriore të Kosovës, ku, unë e ti, paguajmë ende miliona për rrymën e atyre që dikur Albin Kurti i quante pjesëmarrës në gjenocid. Një njeri që nuk guxon ta shtrijë sistemin e faturimit në komunat veriore të Kosovës, këtij vendi i arsyeton rritjen e çmimeve me luftën në Ukrainë. Çfarë mashtruesi! Gjithsesi, Memli e Lumiri e kapërdijnë edhe këtë, pa problem.
Me një fjalë, Kosova në pushtetin e Vetëvendosjes është duke kaluar një prej periudhave më të rënda sa i përket qeverisjes, për të mos përmendur prishjen me partnerë ndërkombëtarë, të cilën është duke e udhëhequr Donika Gërvalla.
Memli e Lumiri, nga ana tjetër, janë zënë me ‘PR’ personal si parapërgatitje për t’iu bashkangjitur Qeverisë Kurti në një periudhë tjetër. Përveç Dardan Molliqajt i cili me qartësi të plotë i ka vënë vija të kuqe pushtetit të mbrapsht të Albin Kurtit, Memli e Lumiri këtë nuk e bëjnë.
Edhe pse, edhe Dardani rrezikon shumë që mllefin personal të mos arrijë që ta përkthejë dot në platformë politike. Zemërimi të përgatit për idenë, por s’është vetë ideja. Duhet më shumë, duhet më shpejt.
Sepse nuk dinë dhe nuk guxojnë për shumë arsye. Vjosa, ndërkaq, është në panik sepse pasi paaftësia e pafytyrësia e saj kanë dal në shesh, sipas të gjitha llogarive të besueshme, ajo nuk e kalon as pragun nesër. Kjo, pa dyshim, është shenjë e emancipimit shoqëror dhe politik në Kosovë. Mirëpo Albin Kurti e din se Vjosa Osmani për një kohë do të jetë e padobishme për ta siguruar shumicën qeverisëse, ndërsa vetë Vjosa Osmani e din se Albin Kurti do ta hedhë si leckë sa t’i ngushtohen edhe pak punët. Prandaj, ajo nesër ose do bëhet një opozitare me zero besueshmëri, ose do mendoj për një punë tjetër në stil të ‘Jahjaga Foundation’, por gjithsesi me shumë më pak kreativitet, ndershmëri dhe profesionalizëm.
Në këtë rrethanë, Memli Kransniqi e Lumir Abdixhiku nuk kanë zgjedhur t’i bëjnë opozitën e mirëfilltë qeverisë e t’i japin alternativën e duhur vendit, por t’i fërkojnë duart për një pakt të ardhshëm me Albin Kurtin.
Për Ramushin s’kam çfarë them. Ekziston në të kaluarën, rrjedhimisht e kam të pamundur ta zbërthej si aktor politik, pasi për shkak të gabimeve të tij të më hershme, çdo veprim i tij rrezikon të mos merret seriozisht.
P.S.
I lexova me kujdes të shtuar disa reagime nga do zonja të rënda lidhur me shkrimin tim të fundit, “Valdrin Sahiti for President”. Veçanërisht disa që ishin prekur drejtpërdrejtë nga shkrimi, u ankuan se qëndrimi im ishte thelbësisht seksist.
Ç’është e vërteta, shkrimi im nuk e kritikoi askë mbi baza gjinore, por vetëm për dëme institucionale, qasje joserioze në detyrë dhe mungesë shije kulturore. Mjerisht, ato që s’kanë përgjigje për punët e tyre të mbrapshta, zgjodhën të fshihen prapa gjinisë e jo të ballafaqohen për thelbin e çështjes. Kjo, ndërkaq, është keqpërdorim i kauzave feministe në vetvete.