Një sfidë e vërtetë është për amvisat pjekja e mishit në shtëpi.
Zakonisht, amvisat shqiptare përgatisin mish të pjekur në raste festash, gëzimesh familjare apo gjatë fundjavave kur të gjithë mblidhen në shtëpi.
Si traditë, mishi më i përdorur është ai i qengjit, kecit por edhe viçit.
Por pjekja e mishit në furrë në shtëpi nuk është edhe aq e lehtë.
Kjo pasi, disa herë mishi gjatë pjekjes thahet, e herë të tjera piqet nga jashtë por jo nga brenda.
Por cili është sekreti i pjekjes ideale të tij?
Gjithçka lidhet me temperaturën e pjekjes dhe kohën e pjekjes së tij.
Mishi piqet në mënyrë perfekte në nxehtësi të ulët dhe për disa orë. Në këtë mënyrë pjekja e tij bëhet e plotë, mishi i shijshëm me aromë të mrekullueshme dhe aq i shkrifët sat ë shkrihet në gojë.
Ju sjellim më poshtë një nga mënyrat më ideale të pjekjes së mishit në nxehtësi të ngadaltë.
Marinimi i Mishit
Nëse preferoni para se ta fusni mishin për t’u pjekur, AgroWeb.org ju sugjeron ta marinoni më parë me erza të ndryshme si piper, rigon, gjethe dafine, lëng limoni dhe pak vaj ulliri.
Lerëni të marinohet përreth 2-3 orë dhe më pas vijoni me procesin e pjekjes.
Por nëse nuk e preferoni mishin te marinuar atëherë mjafton ta kriposni siç duhet e të vijoni më pas ta vendosni për t’u pjekur.
Pjekja e mishit
Ndizeni furrën e sobës në temperaturën 80 gradë celcius.
Mishin pasi ta keni marinuar apo kriposur, vendoseni në një tepsi apo tavë.
Hidhini vetëm një gotë me ujë dhe futeni të piqet në furrë përreth 5-6 orë derisa tava të mbetet me pak nga lëngu i vet.
Nëse preferoni, për një shije edhe më fantastike, kur ta fusni për pjekje në vend të gotës së ujit mishit mund t’i hidhni një gotë verë të bardhë.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/