Lehtësimi ishte i madh kur nënkryetarja e Bundestagut, Petra Pau, shpalli rezultatin e votimit të premten në mbrëmje: Një fitore e ngushtë për ata që donin të ruanin distancën nga e djathta ekstreme.
Me vetëm 12 vota më shumë, mocioni për “kufizimin e fluksit të migracionit”, i propozuar nga CDU/CSU, u refuzua.
Në total, 349 deputetë votuan kundër, 338 pro dhe 5 abstenuan.
Ky projektligj synonte të ashpërsonte rregullat e migracionit dhe t’i jepte policisë federale më shumë kompetenca për dëbime.
Por drama e vërtetë nuk ishte tek përmbajtja e tij, por tek mënyra se si CDU/CSU e paraqiti në parlament.
Ishte e qartë që kjo nismë mund të kalonte vetëm me ndihmën e votave të AfD-së, diçka që deri më tani kishte qenë tabu në Bundestag.
Për dekada, partitë kryesore kishin ruajtur një distancë të fortë nga e djathta ekstreme, por ky votim e sfidoi këtë rregull të pashkruar.
“Një njollë që do t’ju ndjekë gjithmonë”
Në sallën e Bundestagut, temperatura politike ishte në maksimum.
Debati filloi katër orë me vonesë, pati shumë ndërprerje të gjata dhe fjalimet ndërpriteshin për shkak të akuzave të ndërsjella.
Kreu i grupit parlamentar të SPD-së, Rolf Mützenich, e quajti këtë një moment historik, por jo në sensin pozitiv.
“Nëse Unioni mbështetet në votat e AfD-së, kjo do të jetë një njollë që do t’i ndjekë gjithmonë”, paralajmëroi ai.
Konservatorët e kryesuar nga Friedrich Merz, i cili është jo vetëm kryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe i partisë CDU, por edhe kandidati kryesor per kanclear, i hodhën poshte akuzat. “Askush në partinë time nuk i shtrëngon dorën AfD-së,” tha ai me ton të vendosur. “Kjo parti minon themelet e demokracisë sonë dhe ka synimin të shkatërrojë CDU-në.”