Doarsa Kica-Xhelili sqaron pozicionin e saj politik: “Nuk kam qenë kurrë në VV”

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka sqaruar një herë e mirë pozicionin e saj politik, duke theksuar se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo iu përgjigj një pyetjeje të shpeshtë nga ndjekësit, ku u kërkua sqarimi i largimit të saj nga VV dhe rikthimi në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

“Nuk kam qenë KURRË në VV. Në janar 2021, i jam bashkangjitur iniciativës ‘Lista Vjosa’. Para kësaj, NUK kam qenë në struktura politike, por vetëm votuese e LDK-së,” ka shkruar Kica-Xhelili, shkruan “Kosovarja”.

Ajo thekson se nuk ka asnjë largim nga VV, pasi nuk ka qenë kurrë pjesë e saj, dhe nuk mund të quhet “rikthim” në LDK, sepse më herët ka qenë vetëm mbështetëse e kësaj partie, por jo në struktura zyrtare.

Kica-Xhelili ka bërë të ditur se për herë të parë është angazhuar politikisht në vitin 2021 dhe në gusht të vitit 2022 iu bashkua LDK-së, ku thotë se i përket ideologjikisht.

“Vendimi më i mirë në botë. A shkojmë me fitu tash?!” ka përfunduar ajo mesazhin e saj.

Ky sqarim vjen në një kohë kur spekulimet për të kaluarën politike të deputetes kanë qenë të pranishme në opinionin publik.