Një gazetar izraelit bëri një postim në X ku tha se administrata Trump është në negociata me Shqipërinë për të pritur rreth 100 mijë banorë nga gaza atje.
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarit izraelit të cilit i është kundërpërgjigjur me një status në X ku thotë se ka kohë që nuk ka dëgjuar diçka kaq të rreme.
Rama e shoqëron reagimin me një foto me kryq të kuq mbi postimin e gazetarit izraelit dhe me mbishkrimin Fake News.
Kryeministri shkruan se Shqipëria nuk mund ta marrë përsipër një përgjegjësi të tillë.
Postimi i plotë i Ramës
“Nuk kam dëgjuar diçka kaq të rreme për shumë kohë – dhe ka pasur shumë lajme të rreme kohët e fundit! Nuk është absolutisht e vërtetë.
Kam respekt dhe solidaritet të plotë për popullin e Gazës, i cili ka vuajtur shumë për shkak të regjimit të dhunshëm të Hamasit dhe ka përjetuar një luftë të tmerrshme pas tragjedive të 7 tetorit.
Por lejoni të jem i qartë: Shqipërisë nuk i është kërkuar nga askush për të ndërhyrë, dhe as nuk mund ta marrim përsipër një përgjegjësi të tillë.
Jemi krenarë për miqësitë tona të forta me Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin, Kuvajtin dhe, natyrisht, me popullin palestinez, shtetin e të cilit Shqipëria e ka njohur shumë vite më parë.