Haradinaj i përgjigjet Gërvallës: Gradën e parë ma ka dhënë UÇK-ja ime, të dytën NATO

Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur ministres se Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila dje e ka quajtur gjeneral të vetëshpallur.

Në tubimin e AAK-së në Gjilan, Haradinaj ka treguar se gradën e parë ia ka dhënë UÇK-ja.

Më pas, ai ka treguar se yllin e dytë ia ka dhënë NATO.

“Unë nuk kam faj që pasi ma ka jep UÇK-ja ime gradën gjeneral brigade me një ylli. Sepse unë nga UÇK-ja kam vetëm një ylli – gjeneral brigade. Është rezultat i angazhimit tim që nuk e kam lëshuar asnjë ditë luftën, që kam qenë në lufte e krejt këto. Po pastaj NATO ma ka jep yllin dytë.

Tash po e tregoj edhe ngjarjen. Bile oficeri që ma ka jep këtë të dytën është gjerman, gjenerali Klaus Rainhard dhe ceremoni ka ndodhur në Parlamentin e e Kosovës”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se në këtë ceremoni ka qenë bashkë me 50 oficer të tjerë të TMK-së.

“Unë nuk kam qenë deputet, por si oficer kemi qenë 50 oficerë të TMK-së. Unë atëherë e kam pasur gradën e lartë, sepse kam qenë zëvendëskomandant i përgjithshëm dhe gradën ma ka dhënë Kushneri, aty ka qenë komandanti i KFOR-it, ka qenë ceremoni solemne e NATO-së”, ka thënë Haradinaj.