Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, në një intervistë për Euroneës Albania, komentoi mbi pritshmëritë e Beogradit ndaj politikës së Donald Trump për Ballkanin, duke thënë se Serbia nuk do të përfitojë ndonjë përkrahje të veçantë.
Ajo beson se nuk do të ketë zhvillime të dukshme që do të përmbysin balancat aktuale në rajon.
“Serbia ka qenë destabilizuesi kryesor i Ballkanit në këto vite. Në këtë pikë, ne nuk e dimë se cila do të jetë politika e Trump për Ballkanin, por është e qartë se ai nuk e ka prioritet rajonin tonë. Gjithashtu, ka shumë çështje më urgjente si Ukraina dhe Lindja e Mesme, prandaj nuk pres të ketë ndonjë ndryshim të madh që do ta favorizojë Serbinë”, u shpreh Biserko.
Sipas saj, përpjekjet e Vuçiqit për të bindur Uashingtonin mund të rezultojnë të kota në një skenë politike globale më të ngarkuar.
“Edhe Kosova gëzon mbështetje në Uashington, andaj nuk besoj se administrata e re do të jetë e gatshme të këmbëngulë për një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës në këto momente. Asnjë vend perëndimor nuk dëshiron një vatër të re krize”, theksoi ajo.
Deklaratën e plotë të Sonja Biserkos e gjeni në videon më poshtë: