Rron Gjinovci ka njoftuar se KTV-ja ia ka ndalur transmetimin e podkastit “RRJEDHA”, të cilin e realizonte së bashku me kolegun e tij Shkëlzen Gashi.
Ai është shprehur i befasuar me vendimin e televizionit që drejtohet nga Flaka Surroi.
Në profilin e tij në “Facebook”, Gjinovci ka shprehur zhgënjimin e tij me këtë veprim.
Sipas tij, KTV-ja e ka shkelur marrëveshjet që kanë pasur.
“Me keqardhje ju njoftojmë se nga sot ndalohet transmetimi televiziv i podkastit. “RRJEDHA” ka qenë produkt i produksionit medial Publikja, i cili përmes një marrëveshje me KTV-në ishte dakorduar që “RRJEDHA” të xhirohej nga KTV dhe të transmetohej të premteve dhe të dielave nga ora 20:00. Përmes një komunikimi të papritur, KTV ka njoftuar se transmetimi i podkastit “RRJEDHA” është i pamundshëm përgjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore nga data 11 janar deri më 9 shkurt 2025, për shkak të siç është thënë “kufizimeve të KPM-së”. Publikja e konsideron këtë propozim kufizues cënim të marrëveshejeve ekzistuese dhe si rrjedhojë të pamundshëm bashkëpunimin e mëtutjeshëm”, ka shkruar ai, duke shtuar se “RRJEDHA” do të pushojë së transmetuari përkohësisht deri në një vendim tjetër të autorëve.