Hoxhaj tregon çka do të ndodhë me dialogun, nëse i fiton zgjedhjet PDK-ja

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, foli për sfidat e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe nevojën për ristrukturim të tij.

Hoxhaj tha se pas 18 viteve nga shpallja e pavarësisë, Kosova ende përballet me pesë shtete të BE-së që nuk e njohin dhe mungesën e anëtarësimit në NATO, e që sipas tij, është bërë e domosdoshme një qasje të re rreth dialogut.

“Dialogu duhet të ristrukturohet. Duhet të bisedojmë me partnerët tanë cila është rruga e avancimit të interesit të Kosovës. Dhe unë e shoh si rrugë vendimtare anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Hoxhaj.

Ai kritikoi mënyrën se si është menaxhuar dialogu deri tani, duke thënë se marrëveshja e Brukselit, aneksi i Ohrit dhe statuti i Asociacionit nuk përfshijnë fare kontributin e Qeverisë së Kosovës.

“Në këto tri dokumente s’i ke asnjë fjalë të Qeverisë së Republikës së Kosovës” tha Hoxhaj, duke shtuar se nëse PDK-ja fiton zgjedhjet, do të ndërtojë një qasje të re dhe më të fuqishme në dialogun me Serbinë.