Nuk u certifikua nga KQZ, Lista Serbe njofton se do të ankohet në PZAP

Lista Serbe ka dalë me reagim një ditë pasi Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës, nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke njoftuar se do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, u shpreh se vendimi i KQZ-së, është jodemokratik dhe kundër serbëve, duke e akuzuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se e ka urdhëruar “Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në PZAP dhe pres nga ata një vendim të qartë që do të hedhë poshtë këtë vendim absurd, antiserb dhe jodemokratik të [Albin] Kurtit.

Kjo është dhunë institucionale dhe ligjore ndaj popullit serb dhe ndaj Listës Serbe, sepse Kurti nuk dëshiron të shohë deputetët e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës, por dëshiron të ketë serbë të bindur si i ashtuquajturi ministër, z. [Nenad] Rashiq”, tha Ellek në një konferencë për media.