Shtyrja e themelimit të Asociacionit do të vështirësojë pozitën e Kosovës, thotë profesori i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami. Sipas tij, Kosova e ka detyrim që të bëjë një hap të tillë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërkombëtarët i kanë bërë disa herë presion institucioneve vendore për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e konsideruar si çështje kyçe dhe urgjente.
“Është gabim që nuk është themeluar Asociacioni deri më tani. Është dashur të themelohet. Çfarëdo shtyrje e Asociacionit e vështirëson pozitën e Kosovës dhe na sjell te një asociacion gjithnjë e më i keq. Është detyrim ndërkombëtar, është guxim i lidershipit që ky të themelohet, të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Unë mendoj që qeveria këtu është komode sepse cilin do draft statut të saj që nuk ekziston, apo planit franko-gjerman, ajo është komode që ta dërgojë tek Gjykata Kushtetuese, e cila është njëfarë filteri garantues se asociacioni nuk do të shndërrohet në pushtet të tretë, nuk do të marrë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejojë një lloj autonomie në Kosovë”, deklaron ai.
Bajrami flet edhe për proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas tij, ka tendencë për rishkrim të historisë së Kosovës. Gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë Bajrami, është proces i rrezikshëm.
Në intervistën për KosovaPress, profesori i të drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami thotë se ka shkelje të shumta nga Dhomat e Specializuara.
“Fatkeqësisht si profesionist, si jurist, kam shumë vërejtje në punën e deritanishme të kësaj gjykate. Shkelje të njëpasnjëshme procedurale, shkelje materiale, nganjëherë shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dhe sikur kjo gjykatë harron nganjëherë që është e themeluar nga Kosova, nga Kuvendi i Kosovës dhe duhet të respektojë komplet Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe të mundësojë një gjykim të drejtë, me standarde më të larta të gjykimeve evropiane”, shton Bajrami.