Beqiri: Nuk iu besoj sondazheve, votuesit me shumicë do t’i kthehen LDK-së

Kandidati i LDK-së për deputet, Ismet Beqiri, ka deklaruar se nuk iu beson sondazheve për shkak se sipas tij sondazhet më të mira janë në terren.

Beqiri është shprehur i bindur se votuesit do t’i kthehen me shumicë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Për mua janë të pabesueshme për shumë arsye nuk merrem me këtë, ju e dini se UBO e ka huqur disa here por nuk po e them se e ka huq për shkak se e ka vendosur VV-në me këtë përqindje por në të kaluarën nëse kthehemi pas ju jeni dëshmitar se e kanë huq edhe për Prishtinë edhe për disa palë zgjedhje tjera sidoqoftë unë mendoj se sondazhet më të mira po i shohim në terren. Unë besoj se qytetarët mbi të gjitha një numër i votuesve të cilët kanë shkuar sepse ne nuk mund ta mohojmë faktin që VV-ja në vitin 2021 i ka marrë këto vota shumicë falë edhe presidentes aktuale e cila formoi parti por ne jemi të bindur që ai numër bukur i madh do ti kthehen LDK-së dhe jam i bindur që as Lista Guxo as LVV-ja nuk kanë gjasa t’i marrin votat që i kanë pasur. Jam i bindur që votuesit me shumicë do t’i kthehen LDK-së”, ka thënë ai.

Ndryshe, një ditë më parë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i ka publikuar disa të dhëna që sipas tij, paraqesin një sondazh të fundit të kryer nga organizata “UBO Omnibus” në dhjetor, e që e nxjerr VV-në udhëheqëse të garës politike në prag të zgjedhjeve parlamentare, me mbi 47 për qind.

Në fotografinë e publikuar, Vetëvendosje del se prin në garën për zgjedhjet e përgjithshme me 47.1 për qind. Pas saj, është Partia Demokratike e Kosovës me 19.5 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.7 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.5 për qind.