VV kërkon 500 mijë vota, Beqiri: Nuk do të arrihen, Kurti është në siklet

VV-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit po i kërkon 500 mijë vota.

Kandidati i LDK-së, për deputet, Ismet Beqiri ka thënë se kjo Qeveri nuk do ta arrijë këtë rezultat dhe sipas tij kryeministri, Albin Kurti është në siklet dhe është duke folur për rezultate që nuk janë të vërteta.

Tutje, ai tha se Qeveria Kurti ka keqqeverisur në shumë segmente dhe sipas tij këto skandale i kanë parë qytetarët dhe tashmë janë vetëdijesuar.

“Nga ajo që ka ndodhur në këtë periudhë kohore, jo se ata nuk do t’i marrin dhe nuk duhet t’i marrin ato 500 mijë vota që e thonë, por nga fjalimi që e kamë parë ai ka pasur siklet. Personalisht lideri i tyre sepse e din se po fol gjëra që nuk janë të vërteta, rezultate jo të vërteta dhe nëse i analizon gjithë ato dështime, nuk e di ku bazohen që do t’i marrin këto vota”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje i ka prezantuar publikisht pritjet për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar se 500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista Serbe dhe elita e vjetër e korruptuar.

“500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista serbe e elita e vjetër e korruptuar. Është fuqia për të vazhduar reformën tonë të thellë përpara. VVazhdojmë garën për 500k vota”, ka shkruar ajo.