Këngëtarja e dashur Parashqevi Simaku ka reaguar për herë të parë, ku ka falenderuar të gjithë shqiptarët për mbështetjen e dhuruar. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, në një adresë të re, të hapur së fundmi,
Parashqevi Simaku shprehet se është emocionuar nga mbështetja e madhe që ka marrë nga të gjithë njerëzit, ku dhe premton se do të rikthehet sërish në muzikë. Po ashtu, ajo ka një fjalë dhe për personat që e kanë paragjykuar, ku është shprehur se është e lehtë të gjykosh, kur nuk e di se çfarë ka kaluar një njeri.
“Të dashur shqiptarë,
Dua të filloj me një falënderim të madh për gjithë ju që më keni mbështetur dhe më keni treguar dashurinë tuaj në momentin kur papritmas u shfaqa në një nga televizionet e Amerikës. Kam mbetur e befasuar dhe pa frymë nga të gjitha komentet dhe dashurinë që më keni dhënë, si dhe nga interesimi i madh për të më ndihmuar. Ka pasur edhe paragjykime, por është e lehtë të gjykosh kur nuk e di se çfarë ka kaluar një njeri.
Në veçanti, dua të falënderoj publikisht Elton Ilirianin, i cili më ka dhuruar aq shumë dashuri. Do të jem mirënjohëse për gjithë jetën për atë që ka bërë, sepse nga dje më ka ndryshuar krejtësisht jetën time!
Ju premtoj publikisht që do të kthehem më fuqishëm në muzikë dhe do të këndojmë së bashku këngët e mia më të dashura!
Në fund, dua t’ju informoj se kjo është llogaria e vetme e vërtetë në Facebook që kam, dhe herë pas here do të komunikoj me ju, shqiptarët e mi.
Ju falenderoj me gjithë zemër dhe do të jem mirënjohëse deri në frymën e fundit!”, shkruan këngëtarja.
Parashqevi Simaku ishte zhdukur prej vitesh. Figura e këngëtares së njohur u rikthye sërish në vëmendjen e publikut pasi një video e transmetuar nga televizioni amerikan “Abc 7”, ka tronditur rrjetin. Në pamjet e rrjeteve sociale shihet Parashqevi Simaku e cila merr ndihma si e pastrehë.