Mehmetaj: Pse pushteti nuk alarmoi kur Grupi Koha nuk e raportoi përfshirjen e Veton Surroit në rastin Brezovica?

Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas deklaratave të pushtetit në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj pronarëve të disa bizneseve.

Mehmetaj ka përmendur se si grupi “Koha” nuk kishte raportuar për përfshirjen e Veton Surroit në aferën Brezovica, megjithatë, atë kohë pushteti nuk alarmoi.

“Pushteti në Kosovë e ka shpërndarë me të madhe se si këto media nuk kanë raportuar për pronarët e vet.

Mirë, tash disa të vërteta këtu duhet me i theksu.

E para, Grupi Koha nuk pati raportu për përfshirjen e Veton Surroit në aferën Brezovica, megjithatë pushteti nuk e mbajti standardin e njëjtë të alarmimit të situatës, e as këta çakejtë e pushtetit nuk u ankuan për këtë mëkat mediatik.” – ka shkruar ai.

Mehmetaj ka përmendur edhe Qeverinë, dhe mbrojtjen që kryeministri Albin Kurti ua ka bërë disa figurave të raportuara për skandale.

“Por, nëse mediat në Kosovë i shtrëngon interesi financiar, çka e shtrëngon qeverinë e Kosovës, çka e shtrëngon Albin Kurtin, ta mbrojë Martin Berishajn, Nagip Krasniqin, Mimoza Kusari-Lilën, Liburn Aliun, Naser Hafizin, Farkuk Mujkën e plotë të tjerë?

Ne i kemi dhënë atij liri të operimit me sigurim të pagesave nga taksat tona e besim qytetar përmes votës.

Pse atëherë qeveria mbron kriminelë? Kush e shantazhon qeverinë?

Dhe si përfundim…

A nuk qenka Prokuroria Speciale instrument kundër qeverisë a? A po ngrehka Prokuroria Speciale aktakuza edhe për oligarkë a?” – ka shkruar ai.