Vetura që po josh nxënësit me çokollata në Prishtinë – Çfarë dihet deri më tani?

Një veturë me targa 04 po dyshohet që po josh fëmijët me çokollata në shkollën “Emin Duraku në Prishtinë. Për këtë nga menaxhmenti i shkollës u kërkua që nxënësit të kenë kujdes. Por nga kjo shkollë thonë se aktualisht nuk kanë ndonjë provë që kjo veturë ka pasur kontakte me ndonjërin prej nxënësve në lidhje me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Tentim-joshje të nxënësve në oborret e shkollave të Kosovës, janë raportuar sërish.

Kësaj radhe, cak dyshohet të jetë shkolla e mesme e ulët “Emin Duraku , në Prishtinë.

Dyshimet janë se për një veturë e tipit BMW, me targa 04, që qarkullon herë pas here rreth kësaj shkolle, duke i joshur nxënësit me çokollata.

Njoftimin për këto dyshime personelit arsimor të shkollës, ua bëri Drejtori i këtij Institucioni arsimor.

“Koleg/e luteni që ti njoftoni nxënësit në klasat tuaja se nëse e shohin  një veture të zezë BMË me targa 04 (Veturë me reklamë) i joshin fëmijët me çokollata, nësë fëmijet vrejnë në rrugët në afërsi të shkollës të ju njoftojnë juve”.

Drejtori i shkollës, Visar Osmani ka  thënë se deri me tani asnjë nxënës nuk ka pasur kontakt me ketë veturë, por që kanë marrë masa paraprakisht për të rritur sigurinë në shkollë.

“Ne e kemi marrë si informatë jo zyrtare prej disa prindërve që po flitet që një veturë po enët rrugët kryesore dhe po josh fëmijët me çokollata. Nuk ka qenë informatë zyrtare ka qenë prej disa prindërve që vijnë i marrin fëmijët ne oborr dhe dalin. Por ne e kemi marr prapë si shqetësim si preventivë kam njoftuar grupin që fëmijët të mos kontaktojnë me njerëz të panjohur”, tha Osmani.

Për këtë rast madje është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Janë të njoftuar, por nuk ka ndonjë target ndonjë objekt apo ndonjë personë të dyshimt që e kemi parë për me thënë që ky është”, tha drejtori i shkollës.

E kërkesa e drejtorit që fëmijët të kenë kujdes u zbatua.

Ani pse vetë nxënësit thonë se këtë veturë nuk e kanë parë.

“Jo unë nuk e kam parë, por neve na kanë treguar arsimtarët që një makinë BMË e cila po  sillet rreth shkollës po mashtron fëmijë me çokollata”, tha një nxënëse.

“Neve na kanë thënë që është duke sillë një makinë e zezë BMW 04, por ne nuk e kemi pa por na kanë thënë që ka ndodh një rast”, tha një tjetër nxënëse tjetër.

Shkolla ka kërkuar nga prindërit dhe komunitetin të ndihmojnë përmes bashkëpunimit dhe raportimit të çdo rasti të dyshimtë për të siguruar sigurinë e të gjithë nxënësve.

Televizioni ka dërguar pyetje edhe në Policin e Kosovës, nëse kanë nisur hetimet por deri në publikimin e kronikës nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe edhe në shkollën “Hasan Prishtina” javë më parë ishte raportuar një rast i ngjashëm.