Edhe pse Serbisë po kërkohet rreshtimi drejt rrugës evropiane dhe ka dekada që përpiqet të bëhet pjesë e BE-së, nënkryetari i Qeverisë së Serbisë Aleksandar Vulin po vazhdon me fushatë për anëtarësimin e vendit të tij në BRICS.
Ai thotë se nuk është i sigurt se BE-ja e dëshiron Serbinë dhe thekson se sot BRICS është bërë shumë më i rëndësishëm se Bashkimi Evropian.
“BRICS tregon forcë dhe ne jemi shumë të interesuar të mësojmë, të zbulojmë se çfarë na ofron BRICS. Nëse dëshironi të bëheni pjesë e BE-së, duhet ta dini se kjo ka disa pasoja politike. Për shembull, BE-ja i kërkoi Serbisë të njohë pavarësinë të Kosovës. Ne nuk e bëmë këtë, ata na kërkuan të vendosim sanksione ndaj Rusisë, ne nuk jemi pjesë e tyre dhe ne nuk duam ta bëjmë këtë. Kjo nuk është e lehtë për ne të bëjmë, nga ana tjetër, asgjë BRICS nuk po na kërkon të vendosim sanksione ndaj Bashkimit Evropian, por po na ofron të jemi pjesë e ekonomisë në rritje të gjysmës së botës. Nuk është vetëm e gabuar, por edhe budallallëk të besosh se mund të izolosh Rusinë”, tha zëvendëskryeministri i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vulin, në Forumin Ekonomik Euroaziatik në Verona.
Këto fjalë i sanksionuari nga SHBA-ja, Vulin, i tha vetëm pak ditë pasi vendet anëtare të BE-së nuk kanë arritur marrëveshje për hapjen e kapitullit 3 në negociatat me Serbinë.
“Edhe takimi i tretë në nivel ambasadori për këtë temë nuk solli konsensusin e nevojshëm. Hungaria si presidente e BE-së njofton se debati për këtë çështje do të vazhdojë javën e ardhshme. Koha për marrëveshje po mbaron, sepse konferenca ndërqeveritare për hapjen e kapitullit, nëse ka, duhet të mbahet në javën ndërmjet 16 dhe 20 dhjetor”, ka raportuar RTS.
Sipas burimeve diplomatike, qëndrimet e vendeve anëtare nuk kanë ndryshuar dukshëm në krahasim me debatin e kaluar.
Në takimin e fundit, shtatë vende, mes tyre vendet baltike dhe skandinave, Holanda dhe Kroacia, hodhën poshtë propozimin e Presidencës hungareze për fillimin e procedurës për hapjen e grupit 3.
Si arsye kryesore për refuzimin, shtetet anëtare vunë në pah mospërputhjen e Serbisë me politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet kundër Rusisë, orientimin e paqartë gjeopolitik të Beogradit, problemet në sundimin e ligjit, si dhe në marrëdhëniet me Kosovën.
Vendet që mbështesin hapjen e kapitullit deklarojnë se duhet të pranojnë vlerësimin e Komisionit Europian sipas të cilit Serbia ka përmbushur kriteret teknike.
Ata theksojnë se kjo do të dërgonte një sinjal pozitiv në rajon dhe do ta afronte Serbinë me Bashkimin Europian. Disa prej tyre paralajmëruan se nuk do të mund të pranojnë hapa për vendet e tjera nëse nuk arrihet një marrëveshje për Serbinë, sipas RTS-së.
Serbia e hodhi hapin e fundit në negociata në dhjetor 2021.