Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se thelbi i problemit për sulmet e vazhdueshme në veri që vijnë nga Serbia, nisen prej faktit se kryeterroristi, Milan Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë.
“Problemi kryesor për bindjen time rreth këtyre sulmeve është fakti që Milan Radoiçiqi nuk dorëzohet nga autoritet serbe te ato të Kosovës ku duhet të përballet me drejtësinë meqë tashmë e ka një aktakuzë prej 160 faqesh. Ka edhe urdhër-arrest edhe aktakuzë. Të gjitha këto sulme që kanë ndodhë por edhe sulmet e ardhshme që ata i planifikojnë drastikisht bien gjasat të realizohen nëse i dorëzohet institucioneve të Kosovës, policisë e drejtësisë, Milan Radoiçiqi. Ky është thelbi i problemit.
Kurti i ka kërkuar ndërkombëtarëve t’i bëjnë trysni Beogradit për dorëzimin e Radoiçiq.
“Kërkojmë prej faktorëve ndërkombëtarë që të bëhet trysni mbi Beogradin zyrtar që ta dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq te institucionet e Kosovës. Në Kosovë ka sundim të ligjit, Gjykata janë pakrahasimisht më të mira se në Serbi, këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare. Dhe përveç kësaj ne e kemi edhe EULEX-in. Nëse Serbia ka dyshim që Radoiçiq nuk do të meritonte nga pikëpamja jonë gjykim të drejtë, ose nuk do të përfitonte gjykim të drejtë, këtu është EULEX-i që i monitoron të gjitha rastet në Kosovë. Prandaj, ai duhet t’i dorëzohet Kosovës. Por ajo çfarë ka qenë e re e ne nuk e kemi imagjinuar që dikush dëshiron që më shumë se gjysma e Kosovës ta lë pa ujë, pa ngrohje pa telekomunikim dhe pa energji. Nëse shkon aq larg imagjinata kriminale e terroriste nuk besoj se duhet t’i fajësojmë policët tanë.