Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, bashkë me familjen e tij të mrekullueshme më vizituan në stendë gjatë Panairit të Librit, ku me shumë kënaqësi i dhurova romanin tim të fundit Parajsa Artificiale.
Meqë kohët e fundit shkoj shpesh në Prishtinë, ata më ftuan të takoj nënën dhe gjyshën e tyre, që duhet të ketë aq shumë gjëra për të treguar nga jeta me Ibrahim Rugovën, ndoshta politikanin shqiptar më europian dhe më të çuditshëm në 100 vitet e fundit, pas Ismail Qemalit.
Ben Blushi: Ibrahim Rugova, shtetari që kompletoi një shekull më
Unë mezi pres të fotografoj dhe të bisedoj me të, për të kuptuar se si arriti Ibrahim Rugova të krijonte shtetin më të ri në planet, një shtet që nuk kishte egzistuar kurrë më parë, përvecse në ëndrrën e tij.
Meqë jemi në prag të Pavarësisë, duhet thënë se Ibrahim Rugova kompletoi një shekull më vonë atë që Ismail Qemali nisi në vitin 1912. Kur Shqipëria u bë e pavarur, Kosova mbeti jashtë kufinjve si një taksë që i duhej paguar mëshirës së pamëshirshme të Fuqive të Mëdha.
Kosova ishte taksa që Shqipëria pagoi kur mori lejen për tu bërë shtet i pavarur.
Për fat të keq kjo taksë zgjati 100 vjet, derisa Ibrahim Rugova vendosi ta ndërpriste këtë padrejtësi dhe bëri një shpikje që nuk kishte egzistuar as në librat më futuristikë të botës.
Ai krijoi një shtet paralel që u bë bërthama e shtetit të pavarur të Kosovës. Ai i mësoi shqiptarët e Kosovës me idenë se mund të jetonin vetëm.
Kur u nis, kishte shumë armiq dhe shumë pak armë, mes të cilave durimin pa kufi, cigaret pa pushim dhe shallin e lidhur rreth qafës. Kur arriti kishte me vete gjithë Perëndimin të cilin e bindi ngadalë duke folur avash.
Ushtria e Ibrahim Rugovës ishte durimi i tij.
Siç thonë ai fliste pak dhe priste shumë.
Nuk e di si do ishte historia e Kosovës pa Ibrahim Rugovën por një gjë është e sigurt : pa Ibrahim Rugovën, Perëndimi do ta kishte lënë Kosovën të priste edhe më gjatë.
Nuk dihet sa gjatë.