Euractiv” bisedoi me eurodeputeten Viola Von Cramon-Taubadel pas samitit të BE-së të 23-24 qershorit në Bruksel, i cili u fokusua kryesisht tek çështja e zgjerimit, dhe ku pika kryesore ishte një takim kryesisht i pakënaqshëm me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe një “vendim historik” për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë.
Por Von Cramon-Taubadel, e quajti vendimin “shumë të lirë” dhe jo me ndonjë vlerë të madhe praktike. Ajo thotë se bisedimet me liderët e Ballkanit Perëndimor, ishin “një dështim i plotë”, dhe një rezultati i tillë vetëm sa e lumturon presidentin rus Vladimir Putin.
Eurodeputetja Viola Von Cramon-Taubadel nga të Gjelbërit gjermanë, është nënkryetare e delegacionit në Komitetin Parlamentar të Asociimit BE-Ukrainë, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtare e Delegacionit të Parlamentit Evropian të Stabilizim Asociimit BE-Serbi.
Cili është mendimi juaj mbi atë që arriti ky samit “gjeopolitik”?
Më lejoni të shprehem hapur: Vendimi për Moldavinë dhe Ukrainën është shumë i lirë. Në një situatë gjeopolitikisht shumë të tensionuar, BE-së nuk i kushton asgjë t’i japë këtyre vendeve statusin e kandidatit. Por ato mund të mbeten përgjithmonë me këtë status në dhomën e pritjes, siç e kemi parë me Turqinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Statusi kandidat është më e pakta që mund të bëjnë liderët e BE-së, pa pasur asnjë detyrim financiar. Sigurisht, është mirë që të kemi një unitetet të BE-së ndaj ukrainasve, ndërkohë që këta të fundit po përballen me këtë luftë të tmerrshme.
Ndërkohë, vendi tjetër aspirant Gjeorgjia, ka një problem. Dikur ajo ishte gjithmonë e para, kur bëhej fjalë për reformat, anti-korrupsionin, modernizimin e shoqërisë. Por tani gjeorgjianët kanë shkuar plotësisht në drejtimin e gabuar.
Dhe në vend se ta mbyllin hendekun, e kanë thelluar atë, duke e bërë të vështirë që Këshilli Evropian t’u japë atyre të njëjtin status si Ukraina dhe Moldavia. Është e drejtë që Tbilisit t’i thuhet: kryej më parë detyrat e shtëpisë, dhe më pas do të të japim të njëjtin status kandidat siç kemi bërë për dy vendet e tjera.
Ndërkohë, le të hedhim një vështrim në Ballkanin Perëndimor. Çfarë arriti ky samit?
Në lidhje me Ballkanin Perëndimor, ky samit ishte një dështim i plotë. Më duhet ta pranoj se jam shumë e zhgënjyer. Dhe kur Komisioni Evropian e quan veten “komision gjeopolitik”, gjykoj se kjo është një shaka e hidhur. Shikoni: I thirrën në Bruksel të gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndim, dhe nuk u ofruan asgjë.
As Bosnje Hercegovina nuk e mori statusin e kandidatit. Më keq akoma: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk u lejuan të nisin negociatat e anëtarësimit, dhe as Kosova nuk përfitoi liberalizimin e vizave, një çështje që po zvarritet prej 4 vitesh tashmë. Ky është vërtet një sinjal katastrofik. Nga kjo situatë, unë shoh të lumturohet vetëm një njeri: shefi i Kremlinit, Vladimir Putin.
A janë të mira apo të këqija nisma rajonale sikurse është “Ballkani i Hapur”, i udhëhequr nga Beogradi?
Kjo është një iniciativë që nuk bazohet në parime, nuk bazohet as në standarde dhe kritere. Dhe nëse ecet përpara me këtë nismë, do të minohet procesi i anëtarësimit në BE i bazuar në merita. Ndaj unë nuk do e mbështes atë.
Nga ky samit mungoi mesazhi i qartë, se Serbia duhet të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së, dhe t’u bashkohet sanksioneve të saj kundër Rusisë. Pse?
Ndoshta, dhe këtë e kam dëgjuar kohët e fundit edhe nga shoqëria civile në Beograd, ata nuk duan që t’i shkëmbejnë sanksionet me parimet demokratike. Liderët e BE-së kishin shumë frikë se nëse ushtroni shumë presion për sanksionet, atëherë duhet të hiqnin dorë nga parimet demokratike, liria e medias, pluralizmi partiak e kështu me radhë.
Prandaj unë nuk jam shumë e befasuar që mungoi një mesazh i tillë. Argumenti i vërtetë ndaj Serbisë duhet të jetë: nëse ju nuk përputheni me politikën tonë të jashtme, atëherë ne do të pezullojmë fondet. Por unë nuk kam dëgjuar askënd që ta thotë këtë.
Po në lidhje me idenë e Macron për krijimin e një Komuniteti Politik Evropian?
Nëse doni vërtet të krijoni diçka për një Evropë më të gjerë, kjo është pozitive. Por unë kam dëgjuar se ka shumë shqetësim se ky format i ri, mund të jetë si një “dhomë pritjeje” e përhershme për të gjitha vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Dhe kjo ngre shqetësime serioze.
Më e pakta që mund të them, është se ky koncept ka nevojë për një ri-përcaktim më të qartë.