Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili vie nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një reagim të tij, referuar kryeministrit, Albin Kurti thotë se kur e mendon kush i fitoi zgjedhjet nacionale më 2020 e 2021, i lëvizë thartina, ndaj siç shkruan kundërshtari politik që keqqeveris meriton demolim.
Postimi i tij i plotë:
”Kundërshtari politik kur keqqeveris meriton demolim!
Politika krijon rrethana që të detyrojnë të mendosh për humbjen, me pyetjen çka ofroi dhe çka pat vepra më të mira kundërshtari im politik që fitoi! Kjo hamendje imja më sjell te pyetjet fundamentale, prej kah na dolën këta trimosh, ku ishin këta patriot me bateri që nuk i njohëm deri sot dhe fituan. Çfarë çejzi apo kredie patën te qytetarët dhe Republika e Kosovës që fituan?
Kisha fatin të rritem në familjen e cila nuk e njihte kthimin prapa, nuk e njihte dorëzimin. Këtë energji, e kisha nga rinia e hershme ku nuk lejohej të mendohej për disfatë. Mund të mendonim për vdekjen, por jo disfatën para armikut. Më këtë frymë, fillova aktivitetet klandestine. Kur veproja në vitet ’80 e më vonë, kishte ditë që mendoja se nuk më rrok plumbi.
Tradita ta imponon bartjen e disa amaneteve të pathëna, e jetonim historinë brenda familjes. Mora frymë e fuqi nga këto rrethana. Isha kreator e dëshmitar i disa akteve që i regjistron historia, por, ato në politikë, kur janë në nivel nacional, dalin në peshore të madhe që disa nuk ia dinë vlerën. Nuk e kam fjalën për pushtetin lokal se para qytetarëve tuaj je në peshore çdo ditë.
Kur e mendoj se kush i fitoi zgjedhjet nacionale më 2020 e 2021, hiç dhjetë deputetë e pozitës të cilët i njoh dhe kam konsideratë, më lëvizë thartina. Bartësit e përgjegjësive të papërgjegjshëm në ekzekutiv dhe agjenci të pavarura, falë propagandës nga Klani i Tiranës dhe trushpëlarët vendorë, ndihma teorike nga internacionalja socialiste dhe stalinistët global, duke shfaqur epërsinë me fjalë të thata në atdhetarizëm, organizim dhe folklor politik, më bën të mendoj se kundërshtari politik meriton demolim.
Ky demolim i pozitës ka filluar me Drenasin. Pres veprime të forta anekënd Kosovës që jeta e kësaj Qeverie të shkurtohet, më 9 shkurt. Pozita meriton demolim të plotë. Pres kthimin të pozitës në origjinë, pa deputetët trushpëlarë të inercionit, deputetë me integritet, kushte të cilat nuk i plotëson shumica absolute e përbërjes aktuale.
Është tepër e rëndë të dëgjojmë ligjërata për patriotizmin nga ikanakët e luftës, nga frikacakët e ballafaqimit me okupatorin serb, nga thmijaqat politik sezonal, nga bijtë e atyre që i mundëm tetë me hiç, emërohen ta udhëheqin shtetin ata që ishin kundër shtetit, më shtyjnë të mendoj se duhet të punojmë fort me qytetarët e komunës së Drenasit që kundërshtarët aktualë të PDK-së duhet demoluar.
Ky demolim i pozitës aktuale duhet bërë për Kosovën, për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e Republikës së Kosovës të cilën për pesë vjet kjo pozitë ishte shembull i keqqeverisjes, uljes së imazhit të shtetit dhe shkeljeve të pareshtura të Kushtetutës”.