Noizyt nuk i është lejuar të udhëtojë për në SHBA, për shkak të urdhër-arrestit nga autoritetet e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me keqardhje ju njoftoj se nuk do jem prezent në turneun e Amerikës këtë rradhë, problemi ishte tek vizat. Gjithsesi uroj që shumë shpejt të jem pranë jush”, ka shkruar Noizy.
Rigels Rajku i njohur si Noizy, është shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare nën dyshimin për rrahjen e Medi Isenit, një personazhi të njohur në platformën Tik-Tok.
Ai ka provuar që të udhëtojë për në ShBA nga Greqia, por është kthyer prapa pasi që ka një rast penal në Kosovë.
I dyshuar për përfshirjen në sulmin brutal fizik ndaj Medi Isenit në 2 gusht të këtij viti në Pejë, Noizy ishte arratisur nga Kosova për t’u arrestuar në Shëngjin të Shqipërisë pesë ditë më vonë.
Ai ishte mbajtur në arrest me burg deri më 16 gusht, kur Gjykata e Durrësit e kishte liruar pasi reperi kishte ofruar dorëzani në vlerë 50 mijë euro.
Për të njëjtin rast, në arrati ndodhet edhe reperi tjetër nga Shqipëria, Arkimed Lushaj – Stresi.